Kulla e Sali Manit në Tropojë, dëshmi e “Konferencës së Bujanit” për autonominë e Kosovës

E njohur si vendi ku u mbajt “Konferenca e Bujanit”, Kulla e Sali Manit në fshatin Bujan të Tropojës është ndërtuar në shekullin XVIII. Aty u nënshkrua një rezolutë që Kosovës i njihte të drejtën e vetëvendosjes deri në bashkimin me Shqipërinë. 

Një fortestë guri me tre kate, tipike për skajet më veriore të Shqipërisë, gjendet në fshatin Bujan të Tropojës dhe mbart gjithashtu historinë e përpjekjeve kombëtare për autonominë e Kosovës.

Në kullën e Sali Manit është mbajtur “Konferenca e Bujanit”, midis datave 31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944, ku u nënshkrua një rezolutë që Kosovës i njihte të drejtën e vetëvendosjes, deri në shkëputjen dhe bashkimin me Shqipërinë.  

Një investim i Qeverisë së Kosovës në vitin 2013 solli restaurimin e ndërtesës, duke ruajtur dëshminë e një prej ngjarjeve historike të kombit shqiptar dhe përpjekjeve për të siguruar autonominë e Kosovës. 

Në Kullën e Sali Manit u mbajt “Konferenca e Bujanit”. Foto: Media Amfora

Kulla e Sali Manit mendodhet se është ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe u morr në mbrojtje nga institucionet e shtetit shqiptar më 8 janar 1977, duke u shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë. 

Kati i parë i ndërtesës mundëson hyrjen përmes një porte të harkuar druri, ndërsa shkallët e brendshme lehtësojnë kalimin në dy katet e tjera. Në vijim të modelit të ndërtimeve të Malësisë së Gjakovës, ajo dëshmon për mënyrën e jetesës në këtë zonë skajore të vendit.  

Hyrja në Kullën e Sali Manit në fshatin Bujan. Foto: Media Amfora

Stili i ndërtimit, materialet e përdorura në harmoni mes gurit dhe drurit, janë dëshmi e një banese që i shërbente një familje të madhe, të konsoliduar dhe rezistente ndaj kushteve të ashpra atmosferike. 

Kati përdhesës i kullës ka shërbyer për mbajtjen e rezervave ushqimore në dimër dhe për strehimin e kafshëve. Kati i parë shërbente për gratë dhe vajzat e familjes, ndërsa kati i dytë për miqtë dhe burrat e shtëpisë.