Turi ndërkontinental i “Amerigo Vespucci”, simboli i kulturës detare ankorohet në Durrës
E ankoruar në Portin e Durrësit në kuadër të turit të saj botëror, anija Amerigo Vespucci po tërheq vëmendjen e vizitorëve gjatë ditëve të qëndrimit në ujërat shqiptare, ndërsa më pas perla e marinës italiane ushtarake do të vijojë turin e saj të fundit botëror përmes 5 kontinenteve.

Anija “Amerigo Vespucci” në Portin e Durrësit. Foto: Media Amfora
E vendosur në kalatën numër 4 të Portit të Durrësit dhe më të madhit në vend, që prej datës 8 prill kur u bë edhe hyrja zyrtare e saj në ujërat shqiptare, anija Amerigo Vespucci, e vlerësuar si një nga më të bukurat në botë është vizituar me interes mjaft të madh nga qytetarët gjatë dy ditëve të qëndrimit të saj.

Një nga perlat më të çmuara të historisë së detarisë, ajo është një anije shkollore e Marinës Ushtarake Italiane, e ndërtuar në vitin 1930 dhe e quajtur sipas eksploratorit italian Amerigo Vespucci, nga i cili rrjedh edhe emri i kontinentit amerikan.

Familjarë, nxënës shkollash, të rinj e të reja të pasionuar pas detit dhe lundrimit kanë vizituar gjatë tre ditëve të qëndrimit anijen, duke shfaqur mjaft interes.

Me një hijeshi dhe siluetë mbresëlënëse dhe velat tradicionale, e ndërtuar në vitin 1931, kjo anije trajnuese do të vijojë një muaj më pas turin e saj të fundit të këtyre përmasave. Ajo nisi një tur botëror të jashtëzakonshëm që filloi më 1 korrik 2023, nga porti i Gjenovës dhe pritet të përfundojë më 10 qershor 2025. Gjatë këtij udhëtimi 20-mujor, anija viziton 5 kontinente, duke ndaluar në 30 vende dhe 35 porte të botës, e duke përshkuar mbi 46.000 milje detare.

Ajo është kthyer edhe në një simbol të traditës detare italiane dhe një mjet diplomatik i butë, që përhap imazhin e fuqisë ushtarake italiane, nën moton e saj, “Non chi comincia ma quel che persevera” (“Jo ai që fillon, por ai që këmbëngul”).

Nisma e turit botëror të anijes “Amerigo Vespucci” dhe e turit mesdhetar lindi nga një ide e ministrit të mbrojtjes, Guido Crosetto dhe u mbështet nga Ministria e Mbrojtjes dhe 12 ministri të tjera, me qëllimin për të rrëfyer dhe ndarë përvojën ndërkombëtare të “Turit Botëror”, i cili për 20 muaj ka çuar në 30 vende të botës kulturën, historinë dhe inovacionin që e bëjnë Italinë një vend të vlerësuar në të gjithë botën.
