SPAK propozon qasje të re kundër krimit zgjedhor

SPAK i paraqiti Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore një paketë propozimesh për forcimin e luftës kundër krimit zgjedhor. Sipas drejtuesit të SPAK, Klodjan Braho, hetimet duhet të fokusohen te burimi i financimit dhe identifikimi i përfituesve realë të skemave të korrupsionit zgjedhor.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, paraqiti të mërkurën para Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore analizën e institucionit mbi hetimin e krimeve zgjedhore dhe propozimet për ndryshimet që, sipas tij, duhet të shoqërojnë reformën zgjedhore. 

“Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë. Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit”, tha Braho. 

Sipas tij, përvoja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 ka treguar se korrupsioni zgjedhor nuk mund të trajtohet si një veprim i izoluar, por si pjesë e një skeme më të gjerë që përfshin financues, organizatorë dhe ndërmjetës. Për këtë arsye, ai argumentoi se hetimet duhet të fokusohen jo vetëm te autorët e drejtpërdrejtë, por edhe te zinxhiri financiar që qëndron pas tyre. 

Braho propozoi hartimin e një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor, krijimin e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi mes institucioneve përgjegjëse për hetimin dhe administrimin e zgjedhjeve, si edhe rishikimin e politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Sipas tij, këto masa do të mundësonin një reagim më të hershëm, më të koordinuar dhe më efektiv ndaj këtij fenomeni. 

Në analizën e paraqitur para komisionit, Braho solli edhe të dhëna mbi hetimet e zhvilluara gjatë viteve të fundit. Sipas tij, në periudhën 2021-2025, institucioni ka trajtuar 233 materiale zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë administruar 194 materiale, ndërsa janë regjistruar 46 procedime penale, prej të cilave 22 vijojnë të jenë në hetim. 

“Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën”, tha Braho. 

Analiza e SPAK mbështetet në përvojën e tre proceseve zgjedhore dhe në problematikat e evidentuara ndër vite, përfshirë shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve, përdorimin e burimeve administrative dhe ndikimin e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. 

Shqipëria vijon të përballet me probleme që cenojnë integritetin e zgjedhjeve, nga shitblerja e votës dhe përdorimi i burimeve shtetërore deri te ndikimi i krimit të organizuar në proceset zgjedhore. Në Durrës, gjatë zgjedhjeve parlamentare të majit 2025, Media Amfora evidentoi shqetësime për ndërhyrjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor, përmes presionit ndaj votuesve, blerjes së votës dhe mbështetjes së kandidatëve të caktuar.

Paketa e propozuar nga SPAK synon të forcojë hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor. Institucioni kërkoi një qasje më të koordinuar mes autoriteteve ligjzbatuese, ndjekjen e burimeve të financimit të korrupsionit zgjedhor dhe rishikimin e kuadrit ligjor për të rritur efektivitetin e hetimeve. 

Rekomandimet e SPAK do t’i bashkohen atyre të institucioneve të tjera që po dëgjohen nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore. Pas përfundimit të procesit konsultues, komisioni pritet të hartojë paketën e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, e cila më pas do t’i paraqitet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.