Të rinjtë rikthejnë vëmendjen ndaj mjedisit, në Durrësin që përballet me pasojat e tërmetit

Në Ditën e Tokës dhjetra të rinj në Durrës dhe organizata zhvilluan një pedalim me karakter sensibilizues për kujdesin ndaj mjedisit. Të rinjtë shpërndanë edhe informacione që synojnë angazhimin e komunitetit që përballet me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Pasditen e 22 prillit dhjetra të rinj pedaluan në kuadër të Ditës së Tokës, e cila shënon përvjetorin e lindjes së lëvizjes moderne mjedisore në vitin 1970.

Në Durrës u bashkuan aktivistë dhe dashamirës të biçikletës që pedaluan në rrugët e qytetit, duke shpërndarë mesazhin për lëvizjen e gjelbër, një rikthim i sensibilizimit ndaj mjedisit, në qytetin që përballet ende me pasojat e tërmetit të nëntorit.

“Të rinjtë duhet të aktivizohen më shumë për komunitetin dhe qytetin e tyre, për punët vullnetare sepse të bën të ndihesh mirë shpirtërisht dhe të japësh nga vetja”, komentoi për Median Amfora, Monika Zyka.

Ajo është pjesë e grupit të të rinjve që iniciuan pedalimin, Klubi i të Rinjve në Angazhimin Komunitar (KRAK), që mblodhi në shesh edhe përfaqësues të nismave të tjera për mbrojten e mjedisit.

“Duhet të promovohet lëvizja me biçikletë sepse është një ndër mjetet më ekologjike të transportit sidomos në kohët që ne po jetojmë”, u shpreh Iden Petraj, “kryebashkiakia e biçikletave në qytetin e Tiranës”.

Pedalimi mblodhi dhjetra të rinj në sheshin qendror të qytetit, të cilët pedaluan më pas përgjatë akseve kryesore, përfshirë Bulevardin Epidamn dhe sheshin përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të rinjtë e Durrësit të aktivizohen dhe të kërkojnë të drejtat e veta që kanë si çiklist”, tha për Median Amfora, Iden Petraj, “Kryebashkiakia e biçikletave në qytetin e Tiranës”.

“Durrësi ka shumë pak korsi biçikletash dhe kjo e vë në rrezik jetën e çiklistit, kështu që është shumë e nevojshme që këto atkivitete të bëhen jo vetëm një herë në muaj, por një herë në javë”, përfundoi Petraj.

Të rinjtë përgjatë 2 orëve shpalosën studime dhe broshura informuese për qytetarët, me qëllim njohjen e ndryshimeve klimatike dhe kontributin e secilit për zbutjen e pasojave.

Aktiviteti u realizua nga Qendra Durrësi Aktiv, Grupimi Informal Bicycle Durrës, Bashkia Durrës, BYCS Durrës (“Kryebashkiaku i Biçikletave në Qytetin e Durrësit”), me mbështetjen e UNDP Albania, në kuadër të programit “Reagimi i Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR).

Nisma e Ditës së Tokës ndërmerret çdo 22 prill dhe angazhon rreth 1 miliard njerëz në më shumë se 193 vende. Moto e këtij viti ishte, “Investo në planetin tonë”, me fokus në uljen e emetimeve të gazrave serë deri në mesin e shekullit, për të mbajtur temperaturën globale nën 1.5 °C.

Klubi i të Rinjve në Angazhimin Komunitar (KRAK) gjithashtu synon ndërmarrjen e iniciativave të vogla në komunitetin e tyre për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, menaxhimin e mjedisit dhe rimëkëmbjes në nivel lokal.

Ata kanë në fokus promovimin e vullnetarizmit të të rinjve pas tërmetit dhe adresimin e nevojave të komuniteteve të caktuara dhe ata me vështirësi social-ekonomike.

Ky shkrim synon njohjen me angazhimin e të rinjve dhe reagimin pas fatkeqësive natyrore. Ai u përgatit me mbështetjen e Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të projektit “Angazhimi i vullnetarëve të rinj në aktivizimin e komunitetit dhe reagimit ndaj fatkeqësive”, si pjesë e programit të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në artikull i përkasin autorit dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit.

Foto në krye: Monika Zyka duke pedaluar me mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.