Rrëshqitjet e përvitshme në rrugën e Kalasë së Gjirokastrës mbeten pa zgjidhje

Çdo vit pas nisjes së shirave rruga e kalldrëmtë për në Kalanë e Argjirosë përson rrëshqitje dhe bllokohet përkohësisht për vizitorët dhe automjetet. Ndërsa sugjerimet e Drejtorisë së Kulturës në Gjirokastër për rikonstruksion, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Shirat intensive të fillimit të vjeshtës shkaktuan për të disatin vit rrëshqitje të rrugës së kalldrëmtë që lidh qytetin muze të Gjirokastrës me kalanë, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në të.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Gjirokastër shpjegoi për Median Amfora se rrëshqitjet e dherave erdhën si pasojë e kushteve atmosferike, të dominuara nga reshjet e shiut që prej tetorit të këtij viti.

“Si pasojë e shirave të një nate më parë (22 tetor), pati një dëmtim të murit mbrojtës, i cili ka rrëshqitur në rrugën që të çon në lagjen ‘Dunavat'”, shpjegoi rrethanat DRTK Gjirokastër, përmes një përgjigje zyrtare.

Përsëritja e fenomenit çdo vit ka krijuar nevojën për ndërhyrje tërësore rikonstruksioni, për të cilën DRTK Gjirokastër shpjegoi se ka kërkuar zgjidhje konkrete përmes dërgimit të rekomandimeve. 

“DRTK Gjirokastër i ka propozuar Bashkisë Gjirokastër dhe Ministrisë së Kulturës që të përfshijë restaurimin e këtij segmenti në projektin, ‘Plani i Mobilitetit dhe Hartimi i Hollësishëm i Projektit të Investimeve për Azhornimin e Integruar Urban’, që po zbatohet në Gjirokastër”, shpjegoi institucioni. 

Por ende nuk janë marrë masa për reflektimin e rekomandimeve dhe situata bëhet problematike çdo vit pas nisjes së sezonit të shirave, duke u bllokuar në segemente të ndryshme përgjatë saj. 

Në rrëshqitjet e 22 tetorit u ndalua qarkullimi i automjeteve dhe u vendosën shirita paralajmërues për kamiltarët. Vetëm pas ndërhyrjes së institucioneve vendore për meremetimin e muraturës, u rikthye qarkullimi i automjevete dhe lëvizja e kalimtarëve në këtë rrugë.

“DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër dhe Ndërmarrjen e Rrugëve, morën masa për meremetimin e muraturës mbajtëse të rrugës dhe restaurimin e një pjese të kalldrëmit të dëmtuar”, shpjegoi zyrtarisht DRTK Gjirokastër.

Në rreth 50 metra të rrugës u shfaqën probleme dhe e gjithë zona nga kthesa e kalasë deri në afërsi të tunelit është e rrezikuar. Kjo rrugë lidh lagjen e sipërme të qytetit me atë të pjesës së poshtme.

Problematika e mbartur ndër vite me rrëshqitjet ka bërë që të ketë një çedim në aksin e rrugës prej 30-40 centrimetrash. Përveç banorëve të zonës, rruga përdoret nga vizitorët këmbësor dhe ata që mbërrijnë me makinë në Kalanë e Argjirosë në Gjirokastër, e cila mbrohet si pjesë nga UNESCO si pjesë e pasurisë botërore të njerëzimit.

Për periudhën janar-tetor 2023, Kalaja e Gjirokastrës shënoi nga 200 mijë vizitia nga vendas dhe të huaj sipas DRTK Gjirokastër. Por edhe pse numri i vizitorëve në këtë pasuri të trashëguar ndër shekuj rritet nga viti në vit, problematika e rrëshqitjes së rrugës kryesore nuk po gjen zgjidhje.