Rrëshqitjet e përvitshme në rrugën e Kalasë së Gjirokastrës mbeten pa zgjidhje
Çdo vit pas nisjes së shirave rruga e kalldrëmtë për në Kalanë e Argjirosë përson rrëshqitje dhe bllokohet përkohësisht për vizitorët dhe automjetet. Ndërsa sugjerimet e Drejtorisë së Kulturës në Gjirokastër për rikonstruksion, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Kalaja e Gjirokastrës. Foto: Media Amfora
Shirat intensive të fillimit të vjeshtës shkaktuan për të disatin vit rrëshqitje të rrugës së kalldrëmtë që lidh qytetin muze të Gjirokastrës me kalanë, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në të.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Gjirokastër shpjegoi për Median Amfora se rrëshqitjet e dherave erdhën si pasojë e kushteve atmosferike, të dominuara nga reshjet e shiut që prej tetorit të këtij viti.
“Si pasojë e shirave të një nate më parë (22 tetor), pati një dëmtim të murit mbrojtës, i cili ka rrëshqitur në rrugën që të çon në lagjen ‘Dunavat'”, shpjegoi rrethanat DRTK Gjirokastër, përmes një përgjigje zyrtare.
Përsëritja e fenomenit çdo vit ka krijuar nevojën për ndërhyrje tërësore rikonstruksioni, për të cilën DRTK Gjirokastër shpjegoi se ka kërkuar zgjidhje konkrete përmes dërgimit të rekomandimeve.
“DRTK Gjirokastër i ka propozuar Bashkisë Gjirokastër dhe Ministrisë së Kulturës që të përfshijë restaurimin e këtij segmenti në projektin, ‘Plani i Mobilitetit dhe Hartimi i Hollësishëm i Projektit të Investimeve për Azhornimin e Integruar Urban’, që po zbatohet në Gjirokastër”, shpjegoi institucioni.
Por ende nuk janë marrë masa për reflektimin e rekomandimeve dhe situata bëhet problematike çdo vit pas nisjes së sezonit të shirave, duke u bllokuar në segemente të ndryshme përgjatë saj.
Në rrëshqitjet e 22 tetorit u ndalua qarkullimi i automjeteve dhe u vendosën shirita paralajmërues për kamiltarët. Vetëm pas ndërhyrjes së institucioneve vendore për meremetimin e muraturës, u rikthye qarkullimi i automjevete dhe lëvizja e kalimtarëve në këtë rrugë.
“DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër dhe Ndërmarrjen e Rrugëve, morën masa për meremetimin e muraturës mbajtëse të rrugës dhe restaurimin e një pjese të kalldrëmit të dëmtuar”, shpjegoi zyrtarisht DRTK Gjirokastër.
Në rreth 50 metra të rrugës u shfaqën probleme dhe e gjithë zona nga kthesa e kalasë deri në afërsi të tunelit është e rrezikuar. Kjo rrugë lidh lagjen e sipërme të qytetit me atë të pjesës së poshtme.
Problematika e mbartur ndër vite me rrëshqitjet ka bërë që të ketë një çedim në aksin e rrugës prej 30-40 centrimetrash. Përveç banorëve të zonës, rruga përdoret nga vizitorët këmbësor dhe ata që mbërrijnë me makinë në Kalanë e Argjirosë në Gjirokastër, e cila mbrohet si pjesë nga UNESCO si pjesë e pasurisë botërore të njerëzimit.
Për periudhën janar-tetor 2023, Kalaja e Gjirokastrës shënoi nga 200 mijë vizitia nga vendas dhe të huaj sipas DRTK Gjirokastër. Por edhe pse numri i vizitorëve në këtë pasuri të trashëguar ndër shekuj rritet nga viti në vit, problematika e rrëshqitjes së rrugës kryesore nuk po gjen zgjidhje.