Reflektim mbi memorien kolektive për të rriturit dhe fëmijët, përmes monumenteve e zbavitjes

Të rriturit dhe fëmijët u bashkuan mëngjesin e së dielës në një tur kulturor që synonte informimin për monumentet e tashëgimisë kulturore dhe njohjen e historisë së familjeve që transformuan qytetin. Ata rikthyen një prej argëtimeve që i përket memories kolektive, “lojën me petëza”, mbi imazhet e 3 prej mozaikëve të zbuluar në qytet.

Banorët e Durrësit dhe vizitorët mëngjesin e kësaj të diele ndoqën një tur kulturor të ndërthurur me njohjen e historisë dhe zbavitjes përmes “lojës me petëza”.

Aktiviteti nisi në Muzeun Arkeologjik Kombëtar Durrës, me vizitën në objektet e ekspozuara dhe duke u njohur me funksionin e tyre, duke vijuar më tej me vizitën në Amfiteatrin Romak, përmes bashkëpunimit të Qendrës Muzeore Durrës.

“Tradita ka qenë për ndeshjen e gladiatorëve, ku organizoheshin dyluftimet midis tyre apo me kafshët e egra”, shpjegoi Udhërrëfyesja e Amfiteatrit, Ina Ajazi. Ajo shtoi se monumenti i periudhës romake nuk është zbuluar i plotë dhe pritet që të ndërmerren hapa të rinj në këtë drejtim.

Pjesëmarrësit që vinin nga qyteti i Durrësit dhe Tiranës u njohën më tej me historikun e qytetit nga antikiteti deri në periudhën moderne, kur ai nisi të merrte peizazhin urban që Bulevardi Epidamn ka sot.

“Në vitet’ 30 qytetarët e Durrësit nisën të tregtonin me Italinë, si familja Dovana dhe të tjerë, që dërguan edhe fëmijët që të arsimoheshin atje”, shpjegoi për të pranishmit Dorina Xheraj-Subashi, lektore për muzeologjinë dhe trashëgiminë kulturore.

“Edhe paratë e këtyre familjeve nuk u kursyen kur bëhej fjalë për ndërtimin e e qytetit”, shtoi ajo, duke lexuar për të pranishmit një listë me familjet e rëndësishme tregtare që ngritën ndërtesat përbri Bulevardit Epidamn.

Të pranishmit u ndalën pranë Banesës së Familjes Tedeschini (Tedeskini), për të mësuar mbi nismën “Qyteti që Rrëfen”, që po realizohet nga Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” dhe synon të mbledhë rrëfenjat e pinjollëve të familjeve që ndikuan në historinë e qytetit të Durrësit. 

Një grup të rinjsh të apasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe historisë së Durrësit, në bashkëpunim me ekipin e Medias Amfora, po dokumentojnë historitë përmes mbështetjes nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. 

Turi i organizuar si pjesë e nismës “Qyteti që Rrëfen” angazhoi të rriturit dhe fëmijët, të cilët zhvilluan lojën e “Qilimit Lëvizës”. Ata formuan imazhet e 3 mozaikëve të zbuluar: Bukuroshes së Durrësit, Orfeut dhe Mozaikut të Meandrit (me Kryq të Thyer). Të rriturit kujtuan fëmijërinë e tyre duke luajtur me fëmijët me petëza mbi “Qilimat Lëvizës” (movable carpet – © MuZEH Lab), një lojë që është pjesë e memories kolektive.

Foto në krye: Një vajzë duke luajtur me petëza mbi imazhin e Mozaikut të Meandrit. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.