Plani i Menaxhimit Arkeologjik të Durrësit prodhon paqartësi dhe mungesë koordinimi

Prezantimi i Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike “A” dhe “B” të Durrësit mori vlerësime për vizionin që sjell, por procesi në tërësi u përball me akuza për mungesë transparence, bashkëpunimi dhe vlerësime jo të drejta të çmimit të shpronësimit të rreth 80 godinave që preken nga projekti.

Dëgjesa publike e organizuar në kopshtin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar Durrës mbrëmjen e së martës për Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike “A” dhe “B” krijoi paqartësi për ekspertët e fushës dhe banorët që preken nga projekti.

Në tetor të vitit 2020 nisi hartimi i Planit të Menaxhimit të Integruar të 2 zonave arkeologjike në Durrës, që ndahen në “A”, me rëndësi dhe risk të lartë arkeologjik dhe “B”, me risk të mesëm.

Ai është miratuar tashmë nga këshillat shkencorë për trashëgiminë kulturore dhe synon të krijojë një vizioni të ri për menaxhimin e aseteve arkeologjike të Durrësit, përgatitur me financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës.

Ndërhyrja synon të zbulojë përfundimisht amfiteatrin e periudhës romake, të konservojë disa prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit, duke i kthyer në të vizitueshëm dhe të zgjerojë listën e monumenteve, duke përfshirë ndërtesa historike, si Vila e Mbretit Zog apo Hotel Vollga.

Sipas prezantimit të arkitektit Rand Eppich, plani pritet të zbatohet në 3 faza, që do të zgjasin të paktën 7 vite dhe që nisin me monumentin më të rëndësishëm, amfiteatrin, që synohet të gërmohet dhe ekspozohet i gjithi.

Gati gjysma e arenës së monumentit është e zënë nga banesat e ngritura aty dekada më parë dhe zhvendosja e banorëve ka qenë një premtim i ricikluar ndër vite. Plani i menaxhimit synon t’i japi fund pritjes së gjatë.

Banorët që preken nga gjurma e gërmimit të amfiteatrit morën fjalën në dëgjesë, duke e vlerësuar nevojën e zbulimit të monumentit, por këmbëngulën se procesi po realizohet në mugesë transparence dhe vlerësimi po bëhet me çmime reference shumë më të ulëta se tregu.

“Janë kaq shumë familje, e para që nuk e dimë se kush do rrijë e kush do iki dhe besoj duhej të ishte përfshirë me gjithë atë buxhet që ishte aty. Unë nuk kam parë njerëz që të vijnë të pyesin banorët”, parashtroi një grua në dëgjesë, që u prezantua si banore e zonës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi se Plani i Menaxhimit nuk lidhet me shpronësimet, duke shtuar konfuzionin për banorët që preken nga gjurma e gërmimeve për zbulimin e plotë të amfiteatrit dhe ekspozoi procesin e shkëputur midis ndërhyrjeve në monument dhe shpronësimeve.

Ajo shtoi se Plani i Detyruar Vendor numër 5 pas tërmetit ka qenë ndryshe nga zonat e tjera të prekura nga rindërtimi, për shkak të rëndësisë që zona ka lidhur me trashëgiminë kulturore, duke identifikuar godinat që duhen shembur dhe restauruar.

“Do ta kemi konkrete në momentiin që dosjet do të jenë gati dhe do të kemi edhe një tjetër konsultim publik për sa i përket pjesës së shpronësimeve. Do të keni të gjithë afatin tuaj”, shpjegoi Margariti për banorët.

pyetur nga gazetarët, Margariti nuk kishte një shifër konkrete të godinave që do të preken nga projekti. Por kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ndërhyri duke shpjeguar se projekti do të zhvillohet me 5 faza dhe gjatë fazës së parë të tij do të preken 12 familje dhe në total pritet të shemben 80 godina.

Ekspertët vlerësuan objektivat e planit të prezantuar, por theksuan se ka pasur një bashkëpunim të ulët me institucionet partnere dhe të interesuara, si edhe paqartësi të krijuara për fatin e kërkimeve arkeologjike me karakter shkencor.

“Është përmendur në plan Universiteti i Durrësit, fatkeqësisht më duhet të pohoj se ekspertiza multidisiplinare e vetë universitetit në disa fusha që mbërthehen në këtë plan menaxhimi të integruar të Durrësit, nuk është marrë në fazat e tij të hershme”, parashtroi Ols Lafe, nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.

“Si është menduar koordinimi dhe sinkronizmi i këtij plani menaxhimi në raport me Institutin e Arkeologjisë, cila do të jetë e ardhmja e gërmimeve arkeologjike në qytet?!”, pyeti arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia, nga Instituti i Arkeologjisë. 

“E kam parë me shumë vëmendje planin dhe shoh citime të tipit, arkeologët kanë parashikuar gërmime të reja, por në fakt nuk është e qartë cilët janë këta arkeologë”, përfundoi arkeologia që gërmon prej dekadash në nëntokën e Durrësit.

“Nëse do të kemi një kërkesë për një gërmim arkeologjik, ajo patjetër do të vijë tek Ministria e Kulturës dhe nëse Ministria e Kulturës do të shikojë që nuk është pjesë e planit të gjerë ose bie ndesh me vizionin e planit apo me projekte që po detajojmë, patjetër do ta shtyjë në kohë”, u përgjigj ministrja Margariti.

E pyetur nga Media Amfora për ndryshimet e mundshme të legjislacionit ekzistues pas miratimit me Vendim të Këshillit të Ministrave të Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike “A” dhe “B”, ministrja e kulturës u shpreh se plani do të jetë në përputhje me zonifikimin arkeologjik aktual dhe rregullores së menaxhimit të tij.

“Rregullorja e Zonave ‘A’ dhe ‘B’ është një rregullore e cila nuk është hartuar 20 vjet më parë, është një rregullore e cila vjen e freskuar edhe sipas ligjeve të trashëgimisë, për më tepër ka ndërhyrë në të gjithë monitorimin dhe çuarjen përpara të ndërhyrjeve në terren edhe akti normativ pas tërmetit”, shpjegoi Margariti.

Foto në krye: Monitori prezantues i Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike “A” dhe “B”. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.