Rama premton publikimin e dokumenteve për Zvërnecin, tre muaj pas nisjes së protestave qytetare

Dokumentet dhe të dhënat për Sazanin dhe Nartë-Pishë Poron do të bëhen të aksesueshme për publikun brenda disa javësh, sipas kryeministrit Edi Rama. Ato do të publikohen përmes platformës “Flamingo Mirror”, ndërsa deklarata vjen tre muaj pas nisjes së protestave qytetare që morën emrin “Revolucioni i Flamingove”.

Një platformë e posaçme do të bëjë publike dokumentet që lidhen me projektet në Sazan dhe zonën e Zvërnecit, premtoi të enjten kryeministri Edi Rama.

“Tema e Sazanit dhe e Nartë Pish Poros, jo Nartë Vjosës, nuk ka Nartë Vjosë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatës, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe do të pasqyrohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor dhe gjithçka”, u shpreh kryeministri të enjten.

Rama e bëri deklaratën gjatë mbledhjes me grupin parlamentar socialist dhe anëtarët e qeverisë, ku prezantoi edhe nismën “Pasqyrë Albania”. Komponenti i parë i saj do të quhet “Flamingo Mirror” dhe, sipas kryeministrit, pritet të bëhet i aksesueshëm brenda disa javësh.

“Së shpejti, çështje javësh, shfaqja e parë e Pasqyrës, sepse është një punë goxha e madhe që po bëhet, që do të jetë e disponueshme për të gjithë do të jetë një komponent i saj i cili quhet ‘Flamingo Mirror’ ku do të ekspozohen të gjithë aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë”, tha Rama.

Emërtimi “Flamingo Mirror” vjen në një kohë kur prej fundit të majit flamingoja është kthyer në simbolin e lëvizjes qytetare që nisi nga kundërshtimi i ndërhyrjes në zonën e Zvërnecit.

“Revolucioni i Flamingove” nisi më 30 maj, pasi banorë dhe aktivistë kundërshtuan rrethimin me tela të një pjese të zonës së mbrojtur në Zvërnec, në kuadër të një projekti për zhvillim turistik. Përplasja mes protestuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë, ku qytetari Eduart Subashi u tërhoq zvarrë, u bë pikënisja e protestave që më pas u zhvendosën në Tiranë.

Flamingoja, shpendi simbol i Lagunës së Nartës, u kthye në elementin identifikues të protestës dhe i dha emrin vetë lëvizjes. Në pankarta, instalacione dhe projeksione mbi godinën e Kryeministrisë, protestuesit e kanë përdorur atë për të përcjellë kërkesat për mbrojtjen e zonave natyrore dhe për më shumë transparencë në vendimmarrje.

Protesta ndërkohë është zgjeruar përtej çështjes së Zvërnecit. Në të janë bashkuar qytetarë dhe grupe që kundërshtojnë projekte të tjera në vend, mes tyre edhe banorët e Durrësit që kundërshtojnë projektin TID, ndërsa në qendër të kërkesave janë vendosur edhe çështjet e pronësisë, administrimit të pasurive publike dhe transparencës së institucioneve.

Projektet në Sazan dhe Zvërnec, megjithëse janë përmendur shpesh së bashku në debatin publik, nuk janë i njëjti investim. Dokumentet dhe deklaratat publike tregojnë se interesi i Jared Kushner dhe Ivanka Trump lidhet me projektin në ishullin e Sazanit dhe jo drejtpërdrejt me atë në Zvërnec. Investimi në Zvërnec zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. 

Kryeministri gjatë mbledhjes ku prezantoi nismën “Pasqyrë Albania”. Foto: “Screenshot” nga video e faqes Edi Rama  

Rama tha se “Flamingo Mirror” nuk do të funksionojë vetëm si një hapësirë ku publikohen dokumente, por do të duhet t’u përgjigjet edhe pyetjeve për informacionet që mungojnë.

“Flamingo Mirror është një pasqyrë aktive, është aty për t’ju përgjigjur pyetjeve dhe nëse ka diçka që nuk gjendet, Flamingo Mirror ose duhet ta plotësojë ose të japë përgjigje sepse nuk gjendet aty dhe në këtë mënyrë do të ecim për çdo çështje që kanë një rëndësi të veçantë”, tha Rama.