Klodiana Spahiu ministre e Shëndetësisë pas dorëheqjes së Evis Salës
Deputetja socialiste e Durrësit, Klodiana Spahiu, është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Propozimi u bë një ditë pasi Evis Sala njoftoi largimin nga qeveria për t’iu rikthyer angazhimeve ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.
Klodiana Spahiu, e propozuar për postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Foto: Facebook/Klodiana Spahiu.
Klodiana Spahiu, deputete e Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit dhe aktualisht nënkryetare e Kuvendit, është propozuar të enjten nga kryeministri Edi Rama për postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes një ditë më parë të Evis Salës.
Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë bëri të ditur se propozimi i Spahiut vjen në vijim të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe forcimin e mirëqenies sociale.
Spahiu është mjeke me profesion dhe deputete e Partisë Socialiste që prej vitit 2009. Sipas jetëshkrimit të shpërndarë nga qeveria, ajo ka formim edhe në menaxhim shëndetësor dhe përvojë si mjeke, pedagoge dhe në drejtimin e spitalit të Durrësit. Aktualisht mban postin e nënkryetares së Kuvendit.
Propozimi i saj erdhi një ditë pasi Evis Sala njoftoi se po largohej nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, post të cilin e mbajti për rreth një vit. Sala, e cila kishte ardhur në qeveri nga një karrierë akademike dhe shkencore në fushën e imazherisë onkologjike, e bëri publik vendimin përmes një postimi në platformën X.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion”, shkroi Sala.
Sala ishte emëruar ministre në shtator 2025, ndërsa deri në njoftimin e propozimit të Spahiut, kryeministri Rama nuk ka komentuar publikisht arsyet e largimit të saj.