Prerje pemësh pa leje, Bashkia Poliçan vendos gjoba për 3 raste

Prerjet pa leje të pemëve në zona të Bashkisë Poliçan kanë nxitur denoncime nga banorët, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për t’i ndaluar. Bashkia ka dokumentuar tri raste gjatë vitit 2026 dhe ka vendosur gjoba për personat përgjegjës.

Prerjet pa leje në Njësinë Administrative Tërpan të Bashkisë Poliçan janë konstatuar edhe në shtator 2026, rreth një muaj pasi deputeti socialist i qarkut Berat, Fadil Nasufi, publikoi denoncimin e banorëve të zonës.

“Si është e mundur që në mes të ditës priten lisa të moçëm që ne si banorë i kemi ruajtur prej vitesh si pasuri natyrore?”, ishte pyetja e një banori, të cilën Nasufi e përcolli në postimin e tij në Facebook më 16 gusht.

Shqetësimi shtrihej përtej pemëve të fotografuara. Në të njëjtin postim, Nasufi përcolli edhe denoncimin për prerje pemësh në Rehovë, Plashnik dhe Zhapokikë, transport të përditshëm të druve përgjatë lumit dhe hapje rrugësh me mjete të rënda.

Prerjet pa leje ishin konstatuar muaj përpara denoncimit publik. Bashkia Poliçan konfirmoi për Amforën tri raste gjatë vitit 2026: një në Zhapokikë dhe dy në Tërpan.

“Personat e konstatuar nuk kanë disponuar leje apo autorizim për kryerjen e ndërhyrjeve të konstatuara”, shkruhet në përgjigjen e bashkisë.

Në Zhapokikë, më 24 prill u konstatuan lisa të prerë në tokë bujqësore private. Dy rastet e tjera u evidentuan në pyjet e Tërpanit, më 21 maj dhe 15 shtator. Sipas bashkisë, në rastet e kontrolluara ishin prerë lisa dhe mare.

Për të tria rastet janë vendosur gjoba: 10 mijë lekë për prerjen në Zhapokikë, 105 mijë lekë për rastin e majit në Tërpan dhe 5 mijë lekë për atë të shtatorit. Në Zhapokikë, bashkia kreu një verifikim tjetër me policinë më 10 gusht, ndërsa gjobën e vendosi më 11 shtator, afro pesë muaj pas konstatimit të parë.

Deputeti Nasufi tha për Amforën se kishte kërkuar ndërhyrjen e Inspektoratit të Mjedisit, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Sipas tij, institucionet të cilave iu drejtua e konsideruan çështjen përgjegjësi të bashkisë.

“Fillimisht e trajtuan si pyll bashkiak dhe e quajtën kompetencë të Bashkisë Poliçan”, u shpreh ai.

Deputeti tha se reagimet nisën pas publikimit dhe ngriti shqetësimin për prerje të përsëritura në zonën përgjatë rrugës Berat-Ballaban.

Bashkia konfirmon se ka marrë ankesa për prerje në Tërpan, Zhapokikë dhe Plashnik. Sipas saj, rastet janë verifikuar dhe janë vendosur masa kur janë gjetur shkelje.

Për pretendimin mbi përdorimin e mjeteve të rënda, institucioni sqaroi se në rastet e trajtuara nuk ka konstatuar hapje rrugësh apo përdorim të këtyre mjeteve për prerjen dhe transportin e druve.

Prerjet pa leje janë konstatuar në disa muaj të vitit, përfshirë edhe pas denoncimit të gushtit. Ndërsa bashkia raporton kontrolle dhe gjoba, shqetësimi i përcjellë nga banorët mbetet ndalimi i prerjeve dhe mundësia për t’i denoncuar pa frikë. Raste prerjesh janë konstatuar edhe më parë. Bashkia ka përcjellë edhe një shkresë të 5 korrikut 2024, me të cilën i kërkonte policisë masa të menjëhershme ndaj dy personave të konstatuar duke prerë pa leje rreth 5 metra kub dru lisi në fshatin Lugas të Tërpanit.