Policia del duarbosh për luanin e shfaqur në Fier
Policia e Shtetit identifikoi mbajtësin e paligjshëm të një luani në Fier, që u shfaq në mediat sociale, por dështoi ta zbulonte rastin më herët, duke u përballur me pretendimet se luani kishte ngordhur dhe e procedoi pronarin në gjendje të lirë.

Foto e luanit dhe e ngjarjes në Fier. Burimi: Mediat sociale
Policia e Fierit doli duarbosh nga iniciativa për të gjetur një luan të rritur që u shfaq në një video në mediat sociale teksa mbahej në një ambient privat dhe dukej se kafshoi një prej personave që qëndronte pranë tij.
Pasi policia zbuloi se luani mbahej ilegalisht në fshatin Zharrëz në Fier, 52 vjeçari që pretendon se e ka gjetur ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë kafsha ka ngordhur, duke shuar shpresat e aktivistëve për shpëtimin e tij nga robëria.
Sipas policisë shtetasi Altin Ajdini ka deklaruar se luanin e ka gjetur në rrugë në Lushnjë, 6 muaj më parë, kur ai ishte i vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij për disa kohë, deri sa ngordhi rreth 1 muaj e gjysmë më parë.
“Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë…”, njoftoi Policia e Fierit.
Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën në banesë në kundërshtim me rregullat.
Tre ditë më parë një video nisi të bëhej virale në rrjetet sociale, ku një burr rreth të 40-ve shihet që futet në një banesë brenda së cilës shfaqet një luan dhe tenton të ndërveprojë me të. Burri që dukshëm synonte të bënte një video për të tërhequr vëmendjen, teksa priste që luani t’i sillej pranë, ai e kafshoi lehtë pas qafe.
Një person tjetër e largoi atë me dhunë dhe dukej në pozitat e personit që kujdesej për të. Video që shkaktoi reagimin e opinionit publik, ka nxjerrë në pah një problematikë që lidhet me kafshët e egra dhe trendin për t’i mbajtur ato larg habitatit të tyre dhe të izoluar totalisht.
Video-investigimi i publikuar më herët nga Amfora
Amfora ka zbuluar më herët rrjet trafiku të paligjshëm të tigrave dhe luanëve po zhvillohet në Ballkan përmes dyqaneve të kafshëve dhe “TikTok”-ut, teksa mbajtja e tyre po kthehet në një trend nga bosët e krimit. Vetëm në Shqipëri mendohet se gjenden rreth 90 tigra dhe luanë, ndërsa faktet tregojnë se i gjithë Ballkani “është infektuar” nga dëshira për të pasur ilegalisht një mace të madhe.