Platforma e 17 vjeçarit shqiptar për ndotjen mjedisore bashkon 2000 anëtarë nga e gjithë bota

I riu Samuel Gjonaj ka themeluar platformën ndërkombëtare “Clean Global” për aktivistët nga e gjithë bota, ku pas raportimit të ndotjes mjedisore ndërhyjnë vullnetarët. Ajo sot numëron 2089 anëtarë nga 121 vende dhe 12 ambasadorë që e përfaqësojnë nismën.

17-vjeçari Samuel Gjonaj jeton dhe studion në një shkollë ndërkombëtare në Tiranë. Megjithëse Shqipëria ka në popullsi të vogël, dëshirat e tij nuk me shtirje globale i ka nisur nga këtu.

Ai dhe familja e tij ka ndarë shumë vite midis Shqipërisë dhe Anglisë, aty ku edhe ka lindur.

“Kam 6 vite që jam kthyer në Shqipëri, kur u ktheva isha 12 vjeç. Aktualisht po ndjek vitin e fundit të gjimnazit edhe vazhdoj të nis iniciativa që mund të ndihmojnë komunitetin tim brenda dhe jashtë shkollës”, rrëfeu Samul Gjonaj për Median Amfora. 

Samueli është mjaft i pasionuar pas teknologjisë dhe ka zgjedhur ta përdor atë në funksion të mjedisit, e të mbrojtjes së tij. 

Ai ka krijuar dhe drejton platformën që ka sot 2089 anëtarë nga 121 vende, 12 ambasadorë dhe që po njeh rritje nga dita në ditë. 

‘Clean Global’ është një platformë ku njerëzit munden të raportojnë për vende të ndotura. Kjo bëhet përmes faqes së internetit cleanglobal.link ku mund të raportohet zonën e ndotur duke shkruajtur detajet e vendndodhjes”. 

Ai rrëfeu se qëllimi i platformës nuk është vetëm raportimi, por edhe pastrimi i zonës.  

“Pas raportimit këto zona [raste] drejtohen tek anëtarët e ‘Clean Global’ që jetojnë afër dhe kanë mundësi të pastrojnë. Nëpërmjet kësaj nisme krijohet një lidhje midis vullnetarëve të interesuar dhe zonave të ndikuara”, shtoi ai.

Duke jetuar në Shqipëri 17 vjeçari shprehet se është ndeshur shpesh me problemin e ndotjes, por ideja për krijimin e platformës i ka lindur pas pandemisë së COVID-19, që sipas tij e ka përkeqësuar situatën. 

“Pas pandemisë ky problem u përkeqësua duke përfshirë maskat dhe dorezat. Për këtë arsye u frymëzova për të krijuar ‘Clean Global’, për të ndihmuar çështjen e ndotjes jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën”, u shpreh 17 vjeçari.  

Foto kortezie nga Samuel Gjonaj

Ai tha se shpreson të vazhdojë ta zhvillojë më shumë këtë iniciativë, duke u anëtarësuar më shumë anëtarë dhe duke e bërë më efikase. 

“Organizata sapo ka kaluar 2000 anëtarë për të cilën jam shumë i lumtur dhe shpresoj të vazhdojë të rritet”, shtoi ai. 

Gjonaj shpjegoi se për Shqipërinë pjesa më e madhe e raportimeve vijnë për zonat publike të Tiranës dhe të Durrësit. Sipas tij raportimet dhe ndërhyrjet janë të shumta. 

“Meqenëse Shqipëria ka shumë më tepër anëtarë sesa të themi një vend vetëm me disa anëtarë, ne mund t’i drejtojmë këto zona tek anëtarët që janë në të njëjtin qytet, pasi ka një larmi më të gjerë në vendndodhjet e anëtarëve”, rrëfeu Gjonaj.

“Për vendet e tjera që kanë vetëm pak anëtarë, kontaktohet çdo anëtar që jeton në atë shtet, por duke qenë se Shqipëria ka më shumë anëtarë dhe është një shtet më i vogël, mund të jemi më specifik”, shtoi ai. 

17 vjeçari nuk ndalet kur është fjala për teknologjinë, ai është kapiteni i ekipit kombëtar të robotikës në vend, në të cilin sipas tij çdo vit Shqipëria merr pjesë në një konkurs global të quajtur “FIRST Global Challenge”, ku marrin pjesë mbi 180 shtete. 

“Përveç ndërtimit të një roboti për të konkurruar, roli im si kapiten kërkon gjithashtu që unë të mbikëqyr anëtarët, mediat sociale dhe të komunikoj me organizata të tjera”, tha ai. 

Në konkursin e vitit 2022 në Gjenevë (Zvicër) 17 vjeçari tha se e përdori këtë mundësi për të promovuar “Clean Global” dhe për të ftuar anëtarë të interesuar nga vende të ndryshme. 

“Kjo ishte e suksesshme dhe falë saj organizata tani ka anëtarë që përfaqësojnë mbi 120 shtete”, tha ai. 

17 vjeçari është pranuar në Universitetin e Harvardit, në programin “Pre-College”, një mundësi për studentët e gjimnazit që të kalojnë dy javë duke mësuar lëndë të reja. 

“Megjithëse është e vështirë të pranohesh, përfundova duke shkuar atje dhe studiova për ‘Matematikë dhe Drejtësi Sociale’. Në atë klasë mësova për çështje të rëndësishme sociale dhe se si mund ta përdorim matematikën për t’i zgjidhur ato, diçka që më frymëzoi për të marrë iniciativën e platformës”, rrëfeu i riu.

17 vjeçari është shumë i kënaqur me arritjet dhe synon t’i shtojë ato në të ardhmen. Kohët e fundit ai ka ftuar anëtarë të rinj përmes komuniteteve të internetit të dedikuara për mjedisin. 

Gjonaj tha se është në kërkim të programuesve të rinj që të bashkohen me ekipin e tij për tu zhvilluar më tej.

“Besoj se ky do të ishte një hap i mirë për ta bërë ‘Clean Global’ një platformë më efikase. Shpresoj që duke vazhduar zhvillimin e kësaj nisme më shumë komunitete do të shpëtohen nga çështja e ndotjes”, përfundoi i riu.