“Pasi Urën e Hoshtevës e mori lumi, nafta merr manastiret e Zagorisë”

Në verilindje të Gjirokastrës gjendet Krahina e Zagorisë. Fshatrat e saj shtrihen në shpatet e një lugine të përshkuar nga lumi i Zagorisë, e cila kufizohet nga mali i Dhëmbelit në lindje dhe i Lunxhërisë në perëndim. Krahina ndër shekuj ka trashëguar një numër të madh kishash pasbizantine dhe një manastir në fshatin Nivan, që ka qenë një qendër e rëndësishme fetare, kulturore, arsimore dhe ku ka studiuar poeti i shquar i Zagorisë, Andon Zako Çajupi.

Në shkurt të vitit 2018, banorët e kulturuar të Zagorisë nisën kujën për humbjen e një pjesë të dashur të tyre, një Monumenti Kulture të Kategorisë I, që mbrohej me dokumente nga shteti që prej vitit 1983. “Ura e Gurit të Hoshtevës” i mungon sot banorëve që kaluan aty ndër shekuj.

Banorët, arkitektë dhe restauratorë dhanë alarmin ditë përpara se të ndodhte ngjarja, por pasi Ministria e Kulturës dha garanci se monumenti është inspektuar dhe është jashtë rrezikut për shembje gjatë shirave të dendur të shkurtit të kaluar, ura u shemb si pasojë edhe e ujërave të rrëmbyera të lumit

Ura e Gurit të Hoshtevës pas shembjes, në shkurt 2018. Foto: Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore

Por harresa e investimit tek monumentet e kulturës në zonën ku manastiret e kishat të shoqërojnë përgjatë rrugës, u shoqërua me vëmendjen e qeverisë shqiptare për të nisur shpimet për kërkimin e naftës.

Në qershor të vitit 2018 kompania Shell Upstream Albania firmosi një kontratë me qeverinë shqiptare, për ndarje prodhimi midis saj dhe qeverisë. Kjo përfshin në fazën e parë kërkimet në zonën e Përmetit, Tepelenës e Gjirokastrës dhe prek Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës dhe Parkun Natyror të Zagorisë, që njihet ndryshe si Blloku numër 4, ku do të nisin kërkimet për naftë.

BIRN gjeti në një shkrim se në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis që Shell ka bërë për fazën e kërkimit në të gjithë Bllokun 4, thuhet se aty do të bëhen 3 mijë puse plasjeje dhe në pika të ndryshme do të përdoren makineri të vibrimit. VNM bën me dije se në disa raste, korridoret e përcaktuara për të bërë kërkimin bien në afërsi të monumenteve të ndryshme të natyrës dhe kulturës.

Banorët e fshatrave të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt, ku Shell do të kryejë studime sizmike për hidrokarbure kundërshtuan projektin në dëgjesat publike që u zhvilluan në zonë dhe ikërkuan llogari deputetes së zonës dhe ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, se përse nuk e ka kundërshtuar marrëveshjen e lidhur me qeverinë.