Pak vite pas ndërhyrjes, dëmtohet kalldrëmi drejt Kalasë së Beratit

Kalldrëmi në rrugën drejt Kalasë së Beratit paraqet dëmtime në disa segmente, disa vite pas ndërhyrjes. Bashkia pranon problemet e shfaqura dhe thotë se riparimet vijojnë në terren.

Rruga hyrëse me kalldrëm drejt lagjjes “Kala” në Berat paraqet dëmtime në disa segmente disa vite pas ndërhyrjes, ndërsa bashkia e qytetit bëri të ditur se problemet janë konstatuar gjatë vitit 2026 dhe ndërhyrjet për riparimet kanë nisur në muajin prill dhe vijojnë aktualisht. 

“Dëmtimet e konstatuara në këtë aks lidhen kryesisht me uljen e bazamentit të rrugës, kushtet atmosferike dhe fluksin e automjeteve”, bëri me dije në përgjigjen e saj Bashkia Berat për Median Amfora.

Në terren vërehen segmente të kalldrëmit me zhvendosje të gurëve, çarje dhe hapësira ku shtresa poshtë sipërfaqes është ekspozuar, ndërsa në disa pjesë janë kryer ndërhyrje për riparimin e tyre. Këto dëmtime shfaqen në zona të ndryshme përgjatë rrugës, duke krijuar një sipërfaqe jo të njëtrajtshme për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

“Riparimet kanë nisur në muajin prill 2026 dhe janë në vijim nga strukturat përkatëse”, sqaroi Bashkia Berat. Ky aks shtrihet nga vendi i njohur si Porta e Pashait drejt hyrjes së kalasë. 

Rruga me kalldrëm shërben si një nga hyrjet kryesore drejt Kalasë së Beratit, një zonë e mbrojtur si pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO. Ky aks është i rëndësishëm jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për vizitorët vendas dhe të huaj që frekuentojnë qytetin gjatë gjithë vitit, në kuadër të turizmit historik dhe kulturor.

Kalaja e Beratit përfaqëson një nga destinacionet më të njohura turistike në vend, duke tërhequr një numër të konsiderueshëm vizitorësh, ndërsa rruga hyrëse drejt saj përbën një element kyç në aksesin dhe përvojën e tyre në këtë zonë historike.

Kalldrëmi i dëmtuar në rrugën drejt lagjjes “Kala” në Berat. Foto: Media Amfora

Rruga me kalldrëm është rehabilituar në vitin 2018, në kuadër të një projekti të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim nga Banka Botërore. Vlera e investimit ka qenë 148 milionë lekë me TVSH, ndërsa punimet janë zhvilluar nga muaji mars deri në tetor të atij viti.

Ndërhyrja ka përfshirë zëvendësimin e kalldrëmit ekzistues si dhe vendosjen e rrjeteve të ujërave të bardha dhe të zeza, në një zonë me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për qytetin.

Ndonëse bëhet fjalë për një investim relativisht të ri, kalldrëmi në këtë rrugë nuk duket të ketë qëndrueshmërinë që tradicionalisht kanë pasur rrugët me kalldrëm në qytetin historik, të cilat në shumë raste i kanë rezistuar kohës për dekada. Dëmtimet e shfaqura në disa segmente të kësaj rruge kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e ndërhyrjes së realizuar, ndërsa sipas bashkisë ato lidhen me uljen e bazamentit, kushtet atmosferike dhe fluksin e automjeteve.

Rëndësia e këtij aksi lidhet drejtpërdrejt me funksionin e tij si rrugë hyrëse në një nga zonat më të vizituara të qytetit muze, ku ndërthuren vlerat historike, arkitekturore dhe turistike.

Ndërkohë, sipas autoriteteve vendore, ndërhyrjet për riparimin e dëmtimeve të konstatuara janë në proces dhe synojnë rikthimin e funksionalitetit të plotë të rrugës.