Organizatat ndërkombëtare: Liria e medias u përkeqësua gjatë protestave në Shqipëri
Organizatat ndërkombëtare të medias vlerësuan se gazetarët po përballen me pengesa, sulme dhe ndërhyrje gjatë raportimit të protestave në Shqipëri. Ato kërkuan mbrojtje më të madhe për median dhe hetimin e çdo rasti dhune apo frikësimi.
Kamerë televizive gjatë raportimit të protestave në Tiranë. Foto: Media Amfora
Organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve publikuan më 30 korrik një deklaratë, ku vlerësuan se gjatë protestave të dy muajve të fundit në Shqipëri është përkeqësuar klima për raportimin e pavarur dhe debatin demokratik, ndërsa u bënë thirrje autoriteteve të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe të hetojnë çdo incident të raportuar.
“Gazetarët janë përballur me pengim, sulme dhe ndërhyrje të policisë gjatë raportimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Deklarata u publikua në kohën kur protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” kanë hyrë në muajin e tretë. Protestat nisën si kundërshtim ndaj projekteve turistike në zonën e Zvërnecit dhe më pas u zgjeruan në protesta kundër qeverisë.
Sipas organizatave, shqetësimet nuk kufizohen vetëm te ndërhyrjet gjatë raportimit. Në deklaratë shkruhet se procedurat penale të lidhura me protestat kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor, ndërsa gazetarë, aktivistë, organizata të shoqërisë civile dhe mbrojtës të mjedisit janë identifikuar publikisht dhe janë paraqitur si të paguar, të kontrolluar politikisht ose të drejtuar nga interesa të huaja.
“Këto praktika e bëjnë gjithnjë e më sfidues raportimin, pjesëmarrjen paqësore dhe kritikën publike”, thuhet më tej në deklaratë.
Organizatat i referohen edhe të dhënave të Rrjetit “SafeJournalists Network” sipas të cilave 15 nga 27 rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2026 kanë ndodhur vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik. Sipas organizatave, këto të dhëna tregojnë përkeqësimin e klimës për gazetarët gjatë periudhës së protestave.
Në deklaratë u kërkohet autoriteteve shqiptare të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt, të zbatojnë Protokollin e Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve dhe të hetojnë në mënyrë të pavarur e transparente çdo rast dhune, kërcënimi, pengimi apo përdorimi joproporcional të forcës. Njëkohësisht, organizatat kërkojnë që zyrtarët publikë të shmangin etiketimin politik ose delegjitimimin e gazetarëve, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile pa prova.
Sipas organizatave, respektimi i lirisë së medias dhe hapësirës qytetare duhet të mbetet një nga kriteret me të cilat do të vlerësohet përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Për këtë arsye, ato u kërkuan institucioneve europiane dhe partnerëve ndërkombëtarë të ndjekin nga afër zhvillimet në vend.
“Përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duhet të vlerësohet në bazë të faktit nëse gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët mund të mbikëqyrin ushtrimin e autoritetit publik dhe të marrin pjesë në debatin demokratik pa frikë nga dhuna, frikësimi ose hakmarrja”, thuhet në deklaratë.
Organizatat thanë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet dhe të mbështesin gazetarët, punonjësit e medias dhe aktorët qytetarë që përballen me kërcënime, frikësim ose ndërhyrje.
Deklarata është nënshkruar nga:
- Balkan Free Media Initiative (BFMI)
- European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
- European Federation of Journalists (EFJ)
- Free Press Unlimited (FPU)
- International Federation of Journalists (IFJ)
- Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
- Reporters Without Borders (RSF)
- Reporting Diversity Network (RDN)
- SafeJournalists Network (SJN)
- South East Europe Media Organisation (SEEMO)