Kuvendi miraton ligjin që lejon parqet eolike në tokat bujqësore

Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore që lejojnë vendosjen e parqeve eolike në toka bujqësore, me argumentin se do të nxisin zhvillimin e bujqësisë moderne dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme. Deputeti socialist Erion Braçe votoi kundër, duke argumentuar se toka bujqësore duhet të përdoret për prodhim ushqimor dhe jo për aktivitete industriale.

Kuvendi miratoi të enjten ndryshimet ligjore që lejojnë vendosjen e parqeve eolike në toka bujqësore, një projektligj që u shoqërua me debate. Ligji u miratua me 77 vota pro, ndërsa deputeti Erion Braçe votoi kundër, duke argumentuar se toka bujqësore duhet të mbetet në funksion të prodhimit ushqimor dhe jo të përdoret për aktivitete industriale.

“Toka duhet për bujqësi, nuk duhet për aktivitete industriale siç është edhe prodhimi i energjisë elektrike”, tha Braçe gjatë diskutimeve në Kuvend.

Braçe kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se Shqipëria ka sipërfaqe të kufizuara të tokës bujqësore dhe se ato duhet të ruhen për prodhimin bujqësor.

“Ne nuk jemi një vend që kemi hapësira pa fund për të zhvilluar aktivitet bujqësor, qoftë në perime, qoftë në drithëra, qoftë në frutikulturë. Nuk kemi pa fund tokë bujqësore, të cilat na duhen edhe për të zhvilluar forma të reja të bujqësisë”, u shpreh ai.

Me ndryshimet e miratuara, qeveria synon të krijojë bazën ligjore për vendosjen e parqeve eolike në toka bujqësore, si dhe për përdorimin e teknologjive të reja në sektor. Ligji parashikon që kriteret dhe kushtet për zhvillimin e këtyre aktiviteteve të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa qeveria argumenton se prodhimi bujqësor do të mbetet funksioni kryesor i tokës.

Deputeti socialist Braçe tha se kishte kërkuar heqjen e mundësisë për zhvillimin e aktiviteteve eolike dhe fotovoltaike në tokat bujqësore, pavarësisht bonitetit të tyre, pasi sipas tij kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur tokën dhe aktivitetin bujqësor.

“Në tokë bujqësore jo më. Aktivitetet e reja të prodhimit bujqësor janë produktive mjaftueshëm për të konkurruar prodhimin e energjisë elektrike në toka bujqësore, qoftë me parqe eolike dhe parqe fotovoltaike. Nuk e mbështes projektligjin në këtë aspekt”, tha Braçe.

Kundërshtime pati edhe nga opozita gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve. Sipas deputetit Oerd Bylykbashi, ky projektligj ishte çelësi që i hap portën “shkatërrimit pa kthim të tokës bujqësore”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mbrojti projektligjin, duke deklaruar se ndryshimet nuk e ndryshojnë funksionin e tokës bujqësore, por synojnë ta përshtatin legjislacionin me zhvillimet teknologjike në sektor.

Projektligji u miratua në një seancë plenare të bojkotuar nga opozita, ndrërsa votës kundër të deputetit Erion Braçe iu bashkua dhe vota e deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri.

Miratimi i ligjit vjen vetëm dy ditë pasi qeveria njoftoi se do të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe do të ndryshojë dispozitat e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas kërkesave të Bashkimit Evropian për përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane.