Kryebashkiaku i parë i Durrësit, restaurohet busti i Hafiz Ali Podgoricës

Pas disa vitesh në harresë, është restauruar busti përkujtimor i patriotit, besimtarit dhe  kryetarit të parë të Bashkisë Durrës, Hafiz Ali Podgorica. Teksa busti i patriotit katolik, Dom Nikoll Kaçorri, vendosur aty pranë së fundmi ka pësuar dëmtime. Fenomeni i dëmtimit të monumenteve përkujtimore është i përhapur në të gjithë vendin.

Në një ceremoni të thjeshtë dhe larg vëmendjes së opinionit publik, në fund të korrikut u përkujtua dhe u inaguruan punimet rehabilituese në bustin e Hafiz Ali Podgoricës, kryetari i parë i Bashkisë Durrës në vitet 1909-1912.

Pordogrica ka shërbyer edhe si kadi (gjykatës) dhe myfti i Durrësit, duke marrë pjesë edhe në lëvizjen patriotike dhe ngriti për herë të parë flamurin e pavarësisë në Durrës.

Megjithatë busti i tij vetëm pak metra përbri Bashkisë Durrës ishte mbuluar nga pluhuri i harresës, gjelbërimi i varfër dhe një pjesë e germave të emrit ishin dëmtuar. Një fenomen ky i konstatuar gjerësisht në Shqipëri për shkaqe atmosferike dhe akte vandalizimi.

“U mundësua ndërrimi i shkronjave të emrit të tij. U zëvendësuan germat e dëmtuara me të reja. U vendosën pllaka të reja të mermerit, pasi dy prej tyre ishin dëmtuar. Rruga drejt bustit tashmë është me pllaka betoni”, u shpreh Soren Dedja, nëndrejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal Durrës.

Në ceremoninë e rehabilitimit të bustit të tij morën pjesë përfaqësues lokal dhe të besimit islam, si myftiu i Durrësit, Redi Quku, nënkryetari i bashkisë, Renis Mullaj, administratori i Myftinisë Durrës, Eduard Shefkiu, nëndrejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal Durrës, Soren Dedja, anëtari i këshillit bashkiak, Florian Tahiri dhe imami i Xhamisë së Madhe Durrës, Ervin Qylafku. 

Pak metra nga busti i Podgoricës, një tjetër patriot katolik, Dom Nikoll Kaçorri, ka bustin e tij që u vendos në maj të këtij viti dhe që ka pësuar dëmtime të germave shpjeguese për kontributin e tij.

Germat e dëmtuara të bustit  patriotit katolik, Dom Nikoll Kaçorri. Foto: Media Amfora

Media Amfora ka raportuar më herët se bustet dhe monumentet përkujtimore edhe në Tiranë disa herë kanë rënë pre e akteve vandale dhe janë dëmtuar. Rasti i fundit ishte në dhjetor 2022, kur u dhunua busti dhe varri i Mid’hat Frashërit, teksa policia dhe prokuroria ka dështuar të identifikojë përgjegjësit.  

Hafiz Ali Podgorica është një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë së qytetit në fillim të shekullit XX. Ai lindi në Durrës, ku mbeti jetim shumë i vogël. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Shkodër, ku u vendos tek xhaxhallarët e tij, ndërsa më pas vijoi shkollimin në Turqi.  

Kur u rikthye në Shkodër punoi si avokat dhe ndihmësgjyqtar, ndërsa më tej u transferua në Durrës, ku punoi si gjykatës dhe më vonë u zgjodh myfti. Aty ai u bashkua me patriotët e kohës dhe ishte anëtar i klubeve atdhetare të atyre viteve. 

Si kryetar bashkie Podgorica nënshkroi aktin e përfaqësimit për delegatët e Durrësit në Kuvendin e Vlorës.  Më 26 nëntor 1912 ai ngriti me duart e tij flamurin kombëtar në ndërtesën qeveritare të Durrësit.

Vula e parë e Bashkisë së Durrësit u krijua gjatë drejtimit së tij. Pas zhvillimeve të vrullshme të atyre viteve, ai së bashku me patriotët e tjerë durrsakë u larguan me familjet e tyre nga Durrësi. Gjatë regjimit të Zogut ai u dëbua në Kavajë dhe vdiq në vitin 1929.

Në vitin 1992 Podgoricës ju dha nga presidenti i republikës, Sali Berisha, titulli “Urdhëri i Klasit të Parë”, për veprimtari patriotike me motivacionin, “Si figurë intelektuale, i dalluar në organizimin e luftës për çlirim kombëtar, për ngritjen e Flamurit në Durrës (26 nëntor 1912) dhe për organizimin e administratës shtetërore”.

Më 16.10.1996, këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit i dha Hafiz Ali Podgoricës (pas vdekjes) titullin: “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit”, me motivacionin: “Intelektual dhe patriot i shquar. Si delegat i Durrësit në Kongresin e Dibrës, ka luftuar me sukses synimet xhonturke. Bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, me porositë e të cilit ngriti flamurin kombëtar në Durrës, më 26 nëntor 1912. Kryetari i parë në Bashkinë e Durrësit në vitet 1909–1912”.

Ndërsa më 16 -17 gusht 2003, nga Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”, ju akordua (pas vdekjes) titulli, “Simbol i Qytetit – Kryetarit të Parë të Bashkisë së Durrësit, intelektualit të shquar që organizoi administratën shtetërore, patriotit të flaktë, që më 26 nëntor 1912 ngriti flamurin e pavarësisë në Durrës”.

Më tej, më 26 nëntor 2005 nga Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” ju akordua titulli, “Mirënjohja e qytetit të Durrësit”, me motivacionin: “Për kontributin që ka dhënë për Pavarësinë e shtetit shqiptar dhe për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në qytetin e Durrësit më 26 nëntor 1912”.