Ura e Zogut, eskavatorët po e gërryejnë më shpejt se plani i qeverisë për ta shpëtuar

Qeveria shqiptare miratoi në prill 2023 fondin 57 milionë lekë për ndërhyrjen emergjente në “Urën e Zogut”, e cila rrezikon të shembet, pasi njëra këmbë e saj ka çeduar. Megjithatë të vetmit që po punojnë janë eskavatorët dhe kamionët që mbushen me inertet e Lumit Mat.

Një pasdite korriku Qendra Rinore “Sebastia” në Laç po zhvillonte për të disatën herë një aktivitet kulturor, me qëllim tërheqjen e vëmendjes për nevojën e restaurimit të Urës së Zogut, teksa pak metra më tutje zhurma e eskavatorëve konkurronte fort tingujt e muzikës.

Nga vëshgimi që Media Amfora ka zhvilluar në 3 raste muajt e fundit, eskavatorët vijojnë të gërmojnë pranë këmbëve të urës, në shkelje të perimetrit mbrojtës që ligji i siguron çdo Monumenti Kulture të Kategorisë së Parë.

Qeveria shqiptare miratoi në prill të këtij viti fondin me vlerë 57 milionë lekë për ndërhyrjen emergjente në “Urën e Zogut”, e cila rrezikon të shembet, pasi njëra këmbë e saj ka çeduar. Por edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga miratimi i fondit për rikonstruksionin e saj, të vetmit që po punojnë janë eskavatorët dhe kamionët që mbushen me inertet e Lumit Mat.

Eskavatorët duke marrë inerte pranë Urës së Zogut. Foto: Media Amfora

Pas angazhimit të aktivistëve të Qendrës Rinore Sebastia dhe të banorëve të zonës, ky monument është listuar nga “Europa Nostra” si një ndër shtatë sitet evropiane më në rrezik për vitin 2022.

“Ura e Zogut” përfundoi më 14 maj 1927. Ajo është 478 metra e gjatë dhe mbetet e veçantë për shkak të ndërtimit me betonarme dhe hekur. Ajo është drejt rrënimit për shkak të marrjes së inerteve në shtratin e lumit dhe Media Amfora, në bashkëpunim me Qendrën “EDEN”, më herët ka identifikuar përmes “Gazetarisë së Zgjidhjeve” disa ndërhyrje mjedisore për shpëtimin e saj.