Kriza institucionale në Poloni u shtrembërua në raportime si “grusht shteti”
Përplasja për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese në Poloni u paraqit si përpjekje për “grusht shteti” në mediat në internet dhe rrjetet sociale. Në Shqipëri u përhapën pretendime për hyrjen e policisë në gjykatë dhe përpjekjen e kryeministrit për të kryer një grusht shteti, ndërsa në publikimet ndërkombëtare u akuzua pa prova edhe Bashkimi Evropian se synonte të merrte kontrollin e gjykatave polake.
Grafikë ilustruese nga potimet në media në internet dhe rrjetet sociale. Përgatiti: Media Amfora
Një krizë politike në Poloni, këtë fund tetori, u shoqërua me protesta dhe përplasje për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese. Pamjet e policëve pranë institucionit u shpërndanë në rrjetet sociale, ku disa publikime ngritën pretendime për grusht shteti, ndërsa në Shqipëri ngjarja u pasqyrua me tituj që flisnin për bastisjen e gjykatës dhe përshkallëzimin e tensioneve.
“Grusht shteti në Poloni? Policia bastis zyrat e Gjykatës Kushtetuese! Tensionet në rritje”, shkruante faqja informative Prime në Instagram, duke e shoqëruar publikimin me pamje të efektivëve në rrugë.
Por Policia e Varshavës, në një komunikatë zyrtare të 30 tetorit, mohoi se kishte hyrë brenda godinës së gjykatës.
“Theksojmë në mënyrë të prerë se Policia nuk ndodhet brenda selisë së Gjykatës Kushtetuese”, shkruhet në komunikatën e institucionit, postuar në faqet e saj zyrtare në internet.
Sipas autoriteteve polake, policia ishte thirrur për të garantuar sigurinë pas kërkesave të Prokurorit të Përgjithshëm dhe një gjyqtareje të institucionit. Efektivët, sipas njoftimit, vepruan vetëm jashtë godinës, ku ishin mbledhur protestues. Policia raportoi gjithashtu ndalimin e tre personave që kishin kapërcyer rrethimin e gjykatës.
Dhjetëra publikime në mediat në internet dhe në rrjetet sociale, nisën të shpërndanin lajme që prej mbrëmjes së të premtes, duke vendosur theksin tek grushti i shtetit, megjithëse mungonin rrethanat për një rast të tillë. Grushti i shtetit përfaqëson marrjen e papritur dhe të paligjshme të pushtetit, e zakonisht organizohet nga një grup i kufizuar individësh brenda strukturave politike ose ushtarake, përmes përdorimit ose kërcënimit të forcës, me synimin për të rrëzuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e institucioneve shtetërore.
Polonia aktualisht po përballet me një mosmarrëveshje mbi drejtimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Qeveria e kryeministrit Donald Tusk i paraqet ndryshimet në drejtësi si përpjekje për të rikthyer respektimin e ligjit, ndërsa kundërshtarët e saj vënë në dyshim ligjshmërinë e veprimeve.
Akuza për grusht shteti nuk lindi me protestat, pasi drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkowski, kishte folur për një “grusht shteti kushtetues” që më 15 tetor sipas “Radios Polake”. Megjithatë kjo ishte një akuzë e ngritur gjatë përplasjes institucionale dhe jo një fakt i provuar.
Në një video tjetër, faqja informative “Prime” e paraqiti Presidentin Karol Nawrocki si personin që kishte ndaluar grushtin e shtetit të kryeministrit Tusk. Ndërkohë, jashtë Shqipërisë, disa llogari në gjuhën angleze i lidhën ngjarjet edhe me Bashkimin Evropian.
Në Instagram, llogaria The Chronicler Files, që publikon përmbajtje politike, e paraqiti ngjarjen si përpjekje për grusht shteti dhe kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë. Ndërsa platforma australiane The Adelaide Set pretendoi se BE-ja kërkonte të kontrollonte gjykatat polake për ta detyruar vendin të pranonte emigrantë dhe për ta kthyer Evropën në një “kalifat”.
Por dokumentet zyrtare të BE-së për financimin dhe migracionin nuk e mbështesin këtë pretendim. Ato nuk tregojnë se BE-ja kërkon të marrë kontrollin e gjykatave polake për ta detyruar vendin të pranojë emigrantë.
Kjo narrativë u pasqyrua edhe nga Russia Today, një media që njihet për kontrollin nga shteti rus, e cila përcolli akuzën për “grusht shteti të paligjshëm”, duke ia atribuuar atë palës politike të Presidentit Nawrocki.
Protestat dhe mosmarrëveshja për Gjykatën Kushtetuese në Poloni kanë dominuar kohët e fundit zhvillmet në Poloni, por narrativat fabrikuan një grusht shteti pa u bazuar në fakte dhe prova. Prania e policisë pranë gjykatës nuk provon se është kryer një grusht shteti, ndërsa pretendimet për një plan të Bashkimit Evropian për të kontrolluar institucionin dhe për të imponuar politikat e migracionit nuk mbështeten nga provat e shqyrtuara.