Konventa e Bernës kërkoi pezullimin e punimeve, aktivistët protestojnë sot kundër Aeroportit të Vlorës
Thirrjes së organizatave mjedisore për të ndaluar ndërtimin e Aeroportit të Vlorës i është bashkuar edhe “Konventa e Bernës”. Më herët Parlamenti Evropian deklaroi se projekti bie ndesh me ligjet kombëtare dhe me konventat. Aktivistët kanë thirrur një protestë pasditen e së premtes, kundër projektit që kërcënon biodiversitetin.
Komiteti drejtues i “Konventës për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore në Evropë”, e njohur si “Konventa e Bernës”, i kërkoi këtë javë qeverisë shqiptare ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, derisa të zhvillohet një procedurë e re e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe një vlerësim më të përshtatshëm të rreziqeve mjedisore.
“Konventa e Bernës kërkon pezullimin e ndërtimit të aeroportit në zemër të Vjosë-Nartës, një prej parajsave natyrore të Shqipërisë”, shkroi në “Facebook”, Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Së bashku me AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë) dhe organizatën ndërkombëtare “EuroNatur”, ata kanë kundërshtuar ashpër ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, që sipas tyre rrezikon më shumë se 220 lloje shpendësh.
Shqipëria e ka firmosur Konventën e Bernës në vitin 1995 dhe është bërë anëtare e plotë e saj në vitin 1999. Punimet nisën në vitin 2021 brenda një territori që prej vitesh ishte “Zonë e Mbrojtur”, pa leje ndërtimi dhe sipas publikimeve të aktivistëve leja është miratuar më vonë, në fillim të shkurtit të vitit 2023.
PPNEA së bashku me partnerët dhe aktivistët kanë thirrur një protestë pasditen e sotme, në orën 16:30. Ajo do të zhvillohet përpara kryeministrisë, me moton, “Ndaloni aeroportin në Vjosë-Nartë!”. Ndërsa anëtarët dhe partnerët e “Aleancës Mesdhetare për Ligatinat” i kanë drejtuar letra kryeministrit Edi Rama, Komisionit të BE-së dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), me firmat e 33 organizatave në më shumë se 26 vende.
Më herët edhe Parlamenti Evropian ka deklaruar se punimet bien ndesh me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që tashmë janë ratifikuar nga Shqipëria.
Organizatat mjedisore PPNEA dhe AOS, të mbështetura nga organizatat ndërkombëtare “EuroNatur” dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar, më 23 nëntor të vitit 2022 paditën autoritetet shqiptare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur.
Fillimisht Gjykata Administrative Tiranë nuk i dha të drejtë organizatave mejdisore, por Gjykata Administrative e Apelit më 22 qershor të këtij viti e prishi vendimin dhe e dërgoi përsëri për gjykim në shkallën e parë padinë për shpalljen të pavlefshme të kontratës së qeverisë shqiptare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, në fshatin Akërni.