Apeli e ktheu për rigjykim rastin e Aeroportit të Vlorës: “Koha e humbur e thelloi dëmin”

Gjykata Administrative e Apelit e ktheu për gjykim çështjen e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, që ishte depozituar nga organizatat mjedisore PPNEA dhe AOS kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore në projektin e qeverisë për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës. Pavarësisht vendimit të qershorit sipas aktivistëve koha e humbur vetëm sa e ka thelluar dëmin që po i bëhet pasurisë natyrore.   

Zydjon Vorpsi, aktivist dhe ekspert pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe përfaqësuesit e organizatës AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë) e kanë kundërshtuar në gjykatë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Vorpsi një orintolog në gjurmim të shpendëve, teksa ndodhej në terren për monitorim, tregoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte një mbështetje për kauzën që synon mbojtjen e habitatit natyror të shtegtimit të shependëve në Lagunën Vjosë-Nartë. 

“Gjykata Administrative e Apelit na dha të drejtë në ankesën tonë se vendimi i shkallës së parë nuk ka qenë i rregullt”, komentoi Vorpsi për Median Amfora. 

Teksa më herët Gjykata Administrative Tiranë nuk i kishte dhënë të drejtë organizatave mejdisore, vendimi i apelit që u mor më 22 qershor të këtij viti, e dërgoi përsëri për gjykim në shkallën e parë padinë për shpalljen të pavlefshme të kontratës së qeverisë shqiptare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, në fshatin Akërni.

“Prishjen e Vendimit Nr. 3226 (3301) Dt. 02.12.2022 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit, në të njëjtën gjykatë, me tjetër trup gjykues”, vendosi trupa e gjyqtarëve me kryesese Blerona Hasën dhe me anëtarë Eriol Roshi dhe Altina Nasufi.

“Vendimi i Apelit është një vendim i drejtë, të cilin ne e kemi pritur”, komentoi Vorpsi. 

Orintologu Zydjon Vorpsi në Lagunën Sektori Rinia-Fllakë. Foto: Media Amfora

Organizatat mjedisore të shoqërisë civile, PPNEA dhe AOS, të mbështetura nga organizatat ndërkombëtare “EuroNatur” dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar, më 23 nëntor të vitit 2022 paditën autoritetet shqiptare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur.  

Megjithatë Gjykata Administrative nuk i hapi rrugën gjykimit, duke e rrëzuar çështjen, ç’ka bëri që organizatat ta apelojnë vendimin si shpresa e fundit për ta ndaluar projektin që akuzohet se do të dëmtojë rëndë habitatin dhe rrugën e shtegtimit të shpendëve.

“Ajo që ne nuk prisnim ishte refuzimi që morëm ne në shkallën e parë, i cili nuk na legjitimonte për të zhvilluar luftën në frontin ligjor”, tregoi i habitur Vorpsi.

Në padi janë të dokumentuara parregullsitë dhe shkeljet ligjore që organizatat pretendojnë se kanë ndodhur përpara dhe gjatë zbatimit të projektit për ndërtimin e aeroportit. 

Punimet nisën në vitin 2021 pa leje ndërtimi sipas publikimeve të aktivistëve dhe leja është miratuar më vonë, në fillim të shkurtit të këtij viti.

Për ekspertin vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, jo vetëm që ishte i parregullt, por shkaktoi humbje kohe dhe e thelloi dëmin.   

“Pavarësisht se ishte një vendim i parregullt, i cili u rrëzua nga Gjykata e Apelit, shkaktoi kohë të humbur në shqyrtimin e çështjes dhe rrjedhimisht thelloi dëmin që po i bëhet pasurisë natyrore me punimet për ndërtimin e aeroportit në brendësi të zonës së mbrojtur”, tha Vorpsi.  

Organizatat kanë evidentuar se aeroporti i ri do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme jetën bimore dhe shtazore të zonës së Lagunës Vjosë-Nartë, të mbrojtur nga legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare të mjedisit.

Këto dy shoqata mjedisore duke ngritur një sërë problematikash dhe duke nxjerrë në pah mos respektimin e dispozitave ligjore për projektin koncesionar, më herët i kërkuan Gjykatës Administrative të Tiranës që të shpallte të pavlefshme kontratën e nënshkruar në qershor 2021, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të operatorëve “Mabco Construksion”, “Mabeteks”, “Insaat Sanay” dhe “2A Group”.

Pavarësisht thirrjeve të organziatave mjedisore vendase dhe ndërkombëtare, shoqëruar me reagime nga Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë hap pas nga projekti për ndërtimin e aeroportit në fshatin Akërni.