Klubet rotariane vlerësojnë nxënësit e talentuar në Durrës
Klubet rotariane në Durrës vlerësuan të rinjtë e talentuar për angazhimin dhe arritjet e tyre në fusha të ndryshme. Përmes një aktiviteti kulturor, u promovua fryma e bashkëpunimit dhe mbështetja për zhvillimin e brezit të ri.
Gjatë aktivitetit te organizuar nga klubet rotarian. Foto: Media Amfora.
Klubet rotariane në Durrës vlerësuan nxënësit e talentuar për angazhimin dhe arritjet e tyre në fusha të ndryshme, gjatë një aktiviteti të zhvilluar të martën në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, me pjesëmarrjen e “Rotary E-Club”, “Rotary Club” dhe “Rotaract Club Durrës”, në bashkëpunim me institucionin pritës me synimin për të nxitur zhvillimin dhe përfshirjen e brezit të ri.
Në këtë aktivitet u vlerësuan nxënës të dalluar në fusha si matematika, gjimnastika, kori, piktura dhe biologjia, si edhe përfaqësues nga qeveria e nxënësve, duke sjellë në vëmendje përkushtimin dhe punën e tyre gjatë viti shkollor. Për të talentuarit në këto fusha u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe nga një libër, botime nga veprat e Ismail Kadaresë, me synimin për t’i nxitur drejt leximit.

Përfaqësuesit e klubeve rotariane theksuan rëndësinë e mbështetjes së të rinjve dhe krijimit të hapësirave ku talenti dhe angazhimi të marrin vlerësimin e merituar. Aktiviteti u shoqërua me një atmosferë bashkëpunimi dhe motivimi, duke vendosur në qendër rolin e të rinjve në zhvillimin e komunitetit.
“Rotary” është një rrjet global organizatash vullnetare që synon të kontribuojë në përmirësimin e jetës në komunitet përmes projekteve sociale, edukative dhe humanitare. Përmes klubeve lokale, si ato në Durrës, “Rotary” angazhohet në mbështetjen e arsimit, fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e lidershipit, duke krijuar ura bashkëpunimi mes brezave dhe institucioneve.

Në përmbyllje, ky aktivitet shërbeu si një moment vlerësimi dhe reflektimi mbi rëndësinë e investimit te të rinjtë, duke i inkurajuar ata të vijojnë rrugën e tyre me përkushtim dhe besim në potencialin që mbartin. Pjesëmarrësit ndoqën gjithashtu edhe instrumentistët e vegjël, të cilët sollën interpretime muzikore, duke i dhënë aktivitetit një dimension artistik dhe emocionues.