Kështjella e Hotit, dominuese e rrugës kufitare me Malin e Zi

Pranë kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, në Hanin e Hotit, ngrihet një kështjellë nga e cila ka fushëpamje të gjerë. Ajo mendohet se daton nga shekulli VI i Erës Sonë dhe është ndërtuar në kodrën mbi skajin më jugor të Liqenit të Shkodrës.

Mbi gjirin e njohur si “Liqeni i Hotit”, në jugperëndim të fshatit me të njëjtin emër, ngrihet një kështjellë nga e cila shihet gjerësisht Liqeni i Shkodrës dhe rruga që lidh sot Shqipërinë me Malin e Zi.

Kështjella gjendet jo larg pikës së kalimit kufitar “Hani i Hotit” dhe mbi rrugën që të dërgon aty, pikërisht në kodrën pranë skajit më ekstrem të gjirit të Liqenit të Shkodrës.

“Duke u mbështetur në teknikën e ndërtimit të mureve, format planimetrike të kullave me grykë të hapur, si edhe materialin e pakët arkeologjik, gjykohet kufiri më i hershëm datues i kësaj kështjelle në gjysmën e dytë të shekullit VI apo diçka më vonë”, ka konstatuar Prof. Dr. Gëzim Hoxha. 

Kështjella e Hotit ka fushëpamje të gjerë të Malësisë së Madhe. Foto: Media Amfora

Kështjella është ngitur në rrafshin e sipërm të kodrës së formuar nga shkëmbinj gëlqeror dhe peizazhi karstik, të cilin banorët vendas ndër dekada e kanë njohur me toponiminë, “Kalaja e Qytezës”. 

“Vendndodhja e saj në brezin e mbrojtur kufitar me Malin e Zi, ndoshta ka qenë një arsye që në 50 vjetëshin e dytë të shekullit XX, fortifikimi ka qenë shfrytëzuar nga ushtria si vend i përshtatshëm për të ngritur transhe ushtarake dhe për pasojë është dëmtuar në disa segmente të tij”, ka evidentuar arkeologu Hoxha.

Kështjella e Hotit në pamje ajrore. Foto: Media Amfora

Megjithëse i përkasin antikitetit të vonë, “Rrënojat e Kalasë së Hotit” në Malësinë e Madhe, u morën në mbrojtje nga shteti vetëm në vitin 2017 dhe aktualisht kanë statusin e Monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë.

“Vendosja e këtij fortifikimi duket e menduar mjaft mirë nga ndërtuesi, pasi bie në sy një shfrytëzim i avantazheve jetësore dhe mbrojtëse që të jep terreni aty pranë”, ka evidentuar arkeologu Gëzim Hoxha. 

Perimetri i Kështjellës së Hotit. Foto: Media Amfora

Studimi i tij daton në vitin 2004 dhe ka qenë në kuadër të bashkëpunimit të Institutit të Arkeologjisë, me Akademinë e Shkencave, i zhvilluar në bashkëpunim me studentët dhe pedagogët e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Hyrja e kalasë sipas studimit të arkeologut Gëzim Hoxha është vendosur në anën jugore, aty ku gjendet pjesa më e butë, por edhe më e mbrojtur e terrenit. Nga ajo që dallohet sot, hyrja duket të jetë realizuar thjeshtë, vetëm me ndërprerje muri.  

“Ndonëse aty nuk ka gjurmë elementësh fortifikues, prania e një pirku të madh me gurë të shembur, na bën të mendojmë për struktura të dëmtuara, të cilët mund të kenë qenë edhe elementë fortifikues, që lidheshin me këtë hyrje të vetme të Kalasë së Hotit”, shkruan studimi i arkeologut Hoxha.

Pjesë nga muri rrethues Kështjellës së Hotit. Foto: Media Amfora

Monumenti që është përmendur për herë të parë në vitin 1912 nga albanologu Franc Nopça dhe disa vite më vonë nga arkeologët austriakë, Camillo Praschniker dhe Arnold Schober. Funksioni kryesor i kësaj kështjelle sipas arkeologut Hoxha duhet të ketë qenë mbrojtja e popullsisë vendase në raste rreziku.

“Pozicioni i saj dominues dhe mjaft strategjik mbi liqen dhe tërë ambientin përreth, na bën të mendojmë se ajo duhet të ketë qenë një pikë mjaft e sigurt kontrolli për rrugën tradicionale nga Shkodra për në Narona, e cila kalonte fare pranë saj”, shkruan Hoxha.    


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109