“Kërtusha 2022”, karriera e një skulptori modern të pa kompromis

Skulptori 70 vjeçar Qazim Kërtusha përmblodhi ditët e fundit të prillit karrierën e tij 50 vjeçare, në pikën ku edhe e nisi, pranë Universitetit të Arteve.

Video: Rrëfimi i skulptorit Qazim Kërtusha dhe kuratorit të ekspozitës, skulptorit Sadik Spahija. Video-editor: Geri Emiri/ Media Amfora

Ekspozita e hapur nga skulptori Qazim Kërtusha në Galerinë FAB solli rreth 70 punime të Kërtushës, derdhur në materiale si mermer, bronz dhe dru.

Ai solli për publikun edhe një katalog që përmbledh punimet e tij përgjatë viteve. Veprat e Kërtushës nxjerrin në pah rolin e gruas në shoqëri dhe vlerat e saj, duke shkuar deri në ekspozimin e fenomeneve të ndryshme sociale dhe politike.

“Kërkimi im, krijon emocion të një mos dakordësie njerëzore, të një diversiteti, që e bën formën të lëvizi sipas amplituditetit të shpirtit tim”, është përkufizimi me të cilin e përmbledh artin e tij skulptori.

Sadik Spahija ishte kuratori i ekspozitës dhe e vlerësoi veprën e Kërtushës në çelje të ekspozitës si përfaqësuese të një procesi kërkimi dhe krijimtarie të pandalur, që përcjell shpirtin e pa kompromis të Kërtushës.

Mësoni më shumë për karrierën 50 vjeçare të skulptorit Kërtusha dhe veprën e tij përmes videos së publikuar në krye, duke ndjekur intervistën me të dhe skulptorin Sadik Spahija.

_________

Foto në krye: Krijimet që mbajnë vulën e skulptorit Qazim Kërtusha, ekspozuar në Galerinë FAB. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.