Investime çdo vit dhe asfalt për fasadë, Durrësi me rrugë të shkatërruara
Pavarësisht investimeve prej rreth 455 milionë lekësh në pesë vitet e fundit, rreth 35 kilometra të rrjetit rrugor në Durrës paraqesin problematika të konsiderueshme. Sipas ekspertëve, asfaltimi shpesh mbetet vetëm ‘fasadë’, ndërsa problemet kryesore lidhen me strukturën dhe kushtet nën sipërfaqe, duke sjellë në disa raste përmbytje dhe dëmtime të përsëritura në rrjetin rrugor.
Pjesë e dëmtuar në rrugën Aleksandër Goga në Durrës. Foto: Media Amfora
Rruga Aleksandër Goga, një nga akset kryesore që lidh Mauzoleumin e Dëshmorëve me Spitalin Rajonal në Durrës, në disa segmente paraqet vështirësi në qarkullimin e automjeteve për shkak të dëmtimit të shtresës asfaltike, e cila ka krijuar gropa dhe deformime në rrugë.
Kjo nuk është e vetmja rrugë në qytetin bregdetar që përballet me problematika të tilla. Edhe rruga në zonën e ish-Sektorit Rinia paraqet dëmtime të ngjashme, ndërsa rrugët dytësore ofrojnë një panoramë edhe më problematike të gjendjes së infrastrukturës rrugore.
“Gjendja është shumë e vështirë në kuptimin e sigurisë rrugore, si për makinat ashtu edhe për këmbësorët”, tha Artan Kacani, urbanist dhe planifikues për Median Amfora.
Sipas të dhënave të Bashkisë Durrës, rrjeti rrugor urban në qytet ka një gjatësi totale prej 177 kilometrash, nga të cilat rreth 35 kilometra paraqesin problematika të ndryshme dhe kërkojnë ndërhyrje. Kjo përkthehet në rreth një në çdo pesë kilometra rrugë që rezulton e dëmtuar.
Bashkia e qytetit ia atribuon problematikat e rrugëve kryesisht faktorëve të jashtëm, si trafiku, reshjet dhe ndërhyrjet nga subjekte të treta, duke e paraqitur dëmtimin si pasojë të kushteve të vazhdueshme dhe jo të menaxhimit të infrastrukturës. Në këtë kontekst, institucioni e vlerëson gjendjen e rrugëve si të mirë.
“Përgjithsisht gjendja e rrugëve është e mirë, duke patur parasysh amortizimin e vazhdueshëm të tyre prej trafikut të rënduar, erozionit prej rreshjeve dhe përmbytjeve të shpeshta, dëmtimeve që vijnë prej subjekteve të treta gjatë çarjeve që u bëjnë rrugëve për kalim të linjave të tubacioneve dhe kalimin e rrjeteve”, tha Bashkia Durrës në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Megjithatë, ndonëse Bashkia Durrës e vlerëson gjendjen e rrugëve si të mirë, vetë të dhënat e saj tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e rrjetit kërkon ndërhyrje. Sipas planifikimit për vitin 2026, rreth 35.6 kilometra rrugë paraqesin problematika të lidhura me gropëzime dhe amortizim të shtresës asfaltike, ndërsa ndërhyrjet e planifikuara për sistemim dhe asfaltim janë dukshëm më të kufizuara.
“Parashikohet që të ndërhyet në problematika si gropëzime, amortizim shtresë asfalti në 35.6 km rrugë, sistemim, shtrim, asfaltim në 2.32 km, ndërsa si më emergjente sistemim, shtrim dhe asfaltim 0.8 km dhe gropëzime, amortizim shtresë asfalti 2 km”, shpjegoi institucioni vendor.
Ndërhyrjet në sipërfaqe probleme në thellësi
Përmbytjet e herëpashershme në Durrës nxjerrin në pah një problem të hershëm të infrastrukturës rrugore në qytet. Dëmtimi i Rrugës së Currilave pas përmbytjes së 6 janarit tregoi qartë këtë realitet. Edhe pse situata u lidh me reshjet e shiut, ekspertët theksuan se përmbytjet nuk krijojnë probleme të reja, por zbulojnë dobësitë ekzistuese në strukturën e rrugëve.
Në këtë linjë, Artan Kacani theksoi se problemet kryesore me rrugët nuk qëndrojnë në sipërfaqe, por në strukturën nën tokë.
“Asfaltimi është vetëm fasada, ndërsa problemi kryesor qëndron në shtresat nën tokë”, tha Kacani.
Sipas tij, dëmtimet e vazhdueshme të rrugëve lidhen drejtpërdrejt me mungesën e sistemeve efektive të kullimit dhe qëndrueshmërinë e dobët të bazës mbi të cilën ndërtohen ato. Në kushte të tilla, uji depërton në shtresat e poshtme të rrugës, duke dobësuar strukturën mbajtëse dhe duke krijuar plasaritje e deformime të vazhdueshme. Kjo bën që ndërhyrjet në asfalt të kenë efekt të përkohshëm, pasi problemet rikthehen në një kohë të shkurtër, veçanërisht pas reshjeve apo ndryshimeve të temperaturës.
“Uji depërton poshtë asfaltit, qëndron aty dhe me kalimin e kohës e çan atë, duke krijuar gropa të reja”, shtoi Artan Kacani.
Bashkia Durrës përshkruan për vitin aktual ndërhyrje që variojnë nga riparime të shtresës asfaltike deri te rikonstruksione më të thelluara të trupit të rrugës, në varësi të nivelit të dëmtimit. Megjithatë, nuk jepen të dhëna konkrete mbi shtrirjen e këtyre ndërhyrjeve, duke e bërë të paqartë nëse proceset e thelluara të rikonstruksionit realizohen në praktikë apo mbeten në nivel përshkrimi teknik.
“Në rastet kur dëmtimet dhe deformimet e trupit të rrugës janë të konsiderueshme, ndërhyrja konsiston në një proces më të thelluar rikonstruksioni, me shtresa të shtuara për të garantuar qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi më të madhe të segmentit rrugor”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Megjithatë, realiteti në terren tregon se problematika nuk kufizohet vetëm në raste të veçuara. Dëmtime në rrugë janë raportuar gjatë këtij viti edhe në segmente të tjera të qytetit, përfshirë investime të përfunduara vetëm pak muaj më parë, të cilat janë degraduar pas reshjeve të para. Në zonën e Plazhit të Madh, shëtitorja bregdetare u dëmtua disa muaj pas përfundimit të investimit, ndërsa në lagjen nr. 8 një rrugë e asfaltuar në fund të dhjetorit u degradua menjëherë pas reshjeve të janarit.
Këto raste tregojnë se, pavarësisht ndërhyrjeve, dëmtimet vijojnë të shfaqen edhe në segmente të reja të rrjetit rrugor.

Miliona të shpenzuara, rrugët ende problematike
Përballë faktit që rreth një nga pesë rrugë në Durrës ka nevojë për ndërhyrje, investimet përgjatë viteve nuk kanë munguar. Bashkia ka deklaruar një total prej rreth 455 milionë lekësh për periudhën 2021- 2025. Çdo vit, njësitë administrative kanë pasur fonde të dedikuara, teksa janë aplikuar edhe financime shtesë. Ndërhyrjet, sipas bashkisë, janë fokusuar në rikonstruksionin e rrugëve të amortizuara, me synimin për qëndrueshmëri afatgjatë.
Investimet që Bashkia Durrës ka realizuar nëpërmjet Ndërmarrjes Rruga për rrugët urbane gjatë viteve 2021-2025 janë të ndara në 94.5 milionë lekë (2021), 111.3 milionë lekë (2022), 111.2 milionë lekë (2023), 67 milionë lekë (2024) dhe 71.1 milionë lekë (2025), duke arritur një total prej rreth 455 milionë lekësh.
“Gjatë periudhës 2021-2025, investimet në infrastrukturën rrugore janë realizuar përmes një zëri të dedikuar në buxhetin e Bashkisë Durrës, ku për çdo njësi administrative është parashikuar fondi prej 20,000,000 lekësh në vit, si dhe janë ndërmarrë ndërhyrje të ngjashme edhe në rrugët urbane,” tha institucioni. Bashkia shtoi se “për vitin aktual, planifikimi buxhetor parashikon ndërhyrje të fokusuara në rikonstruksionin e rrugëve të amortizuara, duke synuar qëndrueshmëri afatgjatë”.
Megjithëse investimet nuk mungojnë, sipas Kacanit, problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e fondeve. “Nuk kemi të bëjmë vetëm me rrugë kryesore e dytësore, por me një infrastrukturë shumë më komplekse, e cila kërkon plane mobiliteti dhe qartësi të statusit të rrugëve”, shpjegoi ai. Kacani nënvizon se mungesa e planeve të integruara dhe e vendimeve të qarta bën që efektet e investimeve të mbeten të fragmentuara dhe të pamatura.
Në këtë kontekst, ndërsa Bashkia Durrës paraqet investimet dhe ndërhyrjet si pjesë të një procesi të vazhdueshëm, të dhënat dhe rastet në terren tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e rrjetit vijon të paraqesë problematika. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me mungesën e trajtimit të plotë të strukturës së rrugëve dhe të një qasjeje të integruar në planifikimin e tyre.