SPAK çon në gjyq grupin që mashtronte qytetarët gjermanë
SPAK ka çuar në gjyq 8 persona për një skemë mashtrimi kompjuterik ndaj qytetarëve gjermanë, të organizuar nga një “call center” në Tiranë. Hetimet me autoritetet gjermane zbuluan një rrjet që realizoi dhe tentoi qindra mashtrime, duke shkaktuar dëme prej qindra mijëra eurosh.
Godina e jashtme e institucionit. Foto: SPAK
Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi më 16 prill se ka dërguar në gjyq 8 persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj qytetarëve gjermanë, pas një hetimi të përbashkët me autoritetet gjermane që zbuloi një rrjet të strukturuar kriminal.
“SPAK mbyll hetimet, në gjykim 8 të pandehur për mashtrimin kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë”, tha institucioni në një deklaratë për mediat.
Sipas SPAK, skema funksiononte përmes një rrjeti të strukturuar që përdorte teknologji për të fshehur gjurmët dhe për të kontaktuar viktimat në mënyrë masive.
“Autorët përdornin aplikacionin “Caller-ID-Spoofing” për të shfaqur numra të ndryshëm në telefonat e të dëmtuarve, me qëllimin për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë”, sqaroi institucioni.
Të pandehurit Emiljano Sejdillari, Sokol Krasniqi, Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani akuzohen për “mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”, ndërsa Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi akuzohen vetëm për “mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, grupi kontaktonte viktimat përmes telefonatave duke përdorur teknologji si “Caller ID spoofing” dhe shërbime interneti për të fshehur identitetin, ndërsa komunikimi realizohej përmes serverëve jashtë vendit dhe rrjeteve të anonimizuara.
Në kuadër të hetimit, autoritetet identifikuan një “call center” në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku gjatë një kontrolli u gjetën disa persona të dyshuar dhe u sekuestruan prova materiale dhe digjitale.
Sipas SPAK, nga aktiviteti disa mujor i këtij rrjeti janë dokumentuar dëme prej mbi 363 mijë eurosh ndaj 14 shtetasve në Gjermani, ndërsa qindra tentativa të tjera mashtrimi janë parandaluar.
SPAK thekson se mashtrimet online përmes “call centerave” mbeten një fenomen në fokus të hetimeve, duke apeluar që qytetarët dhe punonjësit të mos bëhen pjesë e aktiviteteve të paligjshme.