“Durrësi urban, para dhe pas pavarësisë kombëtare”, libri dedikuar transformimit të qytetit

“Durrësi urban, para dhe pas pavarësisë kombëtare” është libri që planifikuesi i territorit dhe pedagogu Dr. Artan Kacani, prezantoi në qytetin e tij. Ai hodhi më shumë dritë mbi transformimet urbane nga antikiteti deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Planifikuesi i territorit dhe pedagogu Dr. Artan Kacani prezantoi gjetjet e librit të tij me karakter studimor për transformimet urbane të Durrësit nga momentet e krijimit të qytetit deri në periudhën moderne.

Një sërë dokumentesh arkivore, harta, referenca nga botime të historianëve të ndryshëm, arkeologëve, por edhe studime në terren u përmendën nga Kacani përballë publikut mbrëmjen e së enjtes në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. 

Për këtë studim Kacani tha se se metodologjinë e përdorur e nisi me pesë harta të mëdha, dy prej të cilave të periudhës otomane dhe tre harta të periudhës pas pavarësisë.

“Në momentin që zgjodha këto pesë harta të mëdha, nisa të zbres në shkallë më të vogël, atë të lagjeve dhe më pas në infrastrukturën e qytetit”, tha autori. 

“Me histori mijëravjeçare dhe transformime të vazhdueshme përgjatë rrjedhës së shekujve, ndryshimet urbane të Durrësit kanë ndodhur si rezultat i efekteve natyrore, njerëzore dhe shoqërore, sidomos në shekullin XX”, u shpreh Kacani gjatë prezantimit. 

Autori morri si shembull një nga lagjet më të rëndësishme të qytetit, Lagja “Kala”, e cila është një nga më të njohurat. Nëpërmjet kësaj lagjeje Kacani foli për transformimet që ajo ka njohur ndër shekuj. 

“Lagje kryesore përpara periudhës së pavarësisë, nga ajo që tregojnë dokumentet statistikore të asaj kohe, e cila kishte më shumë se 5000 banorë, ç’ka do të thotë që shumë banesa nuk ishin monofamiljare, por kishin shumë shtesa anësore apo vertikale”, shpjegoi Kacani. 

Më pas duke u ndalur në zhvillimin urban të qytetit, Kacani foli për ndryshimet urbane në vitet 1926-1928, vite të rëndësishme këto për imazhin urban të Durrësit.

Ai shpjegoi përmes punës së tij kërkimore se si është krijuar zona ushtarake e qytetit, e njohur për rezistencën e saj dhe u ndal në zhvillimin urban të monumentit që shërbente për argëtim, amfiteatrit të periudhës romake.

Pjesë e rëndësishme e historisë së zhvillimit urban të qytetit sipas botimit studimor ka qenë edhe shekulli IV, në të cilin është regjistruar një tërmet i fuqishëm dhe dherat nga kodrat rrëshqitën në hapësirën ku sot ngrihet Xhamia e Madhe dhe Sheshi Liria, në qendër të Durrësit.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109