Në këmbë drejt Palestinës, irlandezi që është nisur për drejtësi sociale kalon në Shqipëri

Irlandezi Mick Bowman nisi rrugëtimin nga Franca për në Palestinë për të sjellë në vëmendje sipas tij padrejtësitë që i janë bërë popullit palestinez, favorizuar nga diskursi politik e mediatik pro Izraelit. Ai tregoi se në 6 muaj do të përshkojë me këmbë 2200 milje.

Nën zhegun e korrikut pranë “Kullës së Barutit” në majë të Kalasë së Durrësit u shfaq Mick Bowman. Pa humbur kohë uli çantën e tij, që megjithëse është një burrë shtatlartë, ajo e konkurron në gjatësi.

Me përkushtim “pushtoi” fortifikimin dhe ngriti aty flamurin e Palestinës. Pak më tutje vendosi një banderolë me disa mbishkrime në gjuhën angleze. Aty dominonte mesazhi për Palestinën e lirë dhe për ndalimin e ndarjes racore nga shteti i Izraelit.

Mick Bowman duket se po mundohet të korrigjojë vendimet historike të ndërkombëtarëve që tentuan të vendosnin paqen dhe drejtësinë. Një ish-punonjës social në Irlandë, Bowman vitet e fundit parpara se të pensionohej punoi edhe si këshillues politik në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Kam dalë në pension në fundin e vitit të kaluar, pas 42 viteve në shërbimin publik, kam qenë punonjës social i shëndetit mendor për shumë vite dhe 3 vite para se të dilja në pension kam punuar si këshillues politik”, nisi ai rrëfimin për Median Amfora. 

Burri e ndërmori rrugëtimin në këmbë përmes disa shteteve me qëllim shtimin e vëmendjes ndërkombëtare në vendet ku ka kaluar, duke kërkuar që shoqëria dhe politika të reflektojë për situatën midis Palestinës dhe Izraelit.

“Kjo është një çështje e padrejtësisë sociale dhe unë po mundohem të bëj çfarë kam mundësi për të ndërgjegjësuar njerëzit për kauzën palestineze. Po mundohem të ndryshoj pikëpamjen e njerëzve dhe sjelljen e tyre ndaj palestinezëve dhe të kuptojnë që është një çështje e shkeljeve të të drejtave të njeriut”, theksoi ai. 

Intervista me video me aktivistin Mick Bowman

Teksa vizitorët ishin të paktë, dielli rrihte me të gjithë forcën kullën që e cilësojnë si “Ballkoni i Durrësit”. Me shikimin drejt kodrave që kanë dëshmuar historinë e qytetit antik, Bowman tregoi se kjo situatë është krijuar edhe përmes retorikës pro Izraelit që dominon mediat.

“Duke qenë se mediat kombëtare janë shumë pro izraelitëve dhe e fshehin zërin e palestinezëve që është pjesë shumë e madhe e problemit, ne mendojmë se është një rast i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe është padrejtësi njerëzore”, tregoi Mick, siç e thërrasin miqtë shkurtimisht. 

Ai e nisi udhëtimin nga Calais, qyteti francez ku vitet e fundit shumë shqiptarë nisën lundrimin drejt endrrës britanike. Jo rastësisht aktivisti e nisi rrugëtimin nga këtu, si një simbol i emigrimit, duke kujtuar shpërnguljen e detyruar sipas tij të popullit palestinez.

Që nga 16 prilli ai ka përshkruar toka të mbuluara nga bora dhe deri sa mbërriti në Durrës nga Italia, përmes tragetit të linjës së Ankonës. Burri synon që të përshkojë 2200 milje në këmbë dhe po përdor kursimet e jetës për një kauzë që sipas tij lidhet me drejtësinë sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Po bëj një ecje nga Franca Veriore deri në Palestinë. Kam bërë 200 milje dhe tani jam në gjysmë të rrugës”, rrëfeu ai. 

“Po e bëj gjithë këtë i vetëm, pa sponsorizime, po e financoj vetë, askush nuk po më jep para për ta bërë këtë. Kam çantën e shpinës, një tendë ku e vendos kudo për të fjetur sepse kam një buxhet të vogël. Për 6 muaj 2200 milje”, tregoi më tej Bowman. 

“Shqipëria është vendi i katërt që kam qenë. Do kaloj nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Turqia, pastaj do të fluturoj për në Amman [kryeqyteti i Jordanisë] dhe pastaj do të eci për në destinacionin final”, shtoi ai për rrugëtimin që do të përfundojë në pikën më të nxehtë të konfliktit, Bregu Perëndimor.

Në shekullin e kaluar konflikti midis palestinezëve dhe izraelitëve u përshkallëuza pas krijimit të shtetit të Izraelit dhe luftërave që pasuan midis dy popullsive kulturalisht të ndryshme.

Palestina arriti të krijonte shtetin e saj në një territor shumë më të vogël nga sa kishte para fillimit të luftërave dhe konflikti rindizet sa herë që ndërtohen lagje izraelite në territoret që i përkisnin Palestinës.

Banderola që aktivisti irlandez shpalos në çdo qytet që ndalon. Foto: Media Amfora

Bowman e ka ndërmarrë këtë udhëtim pasi ndër vite ka studiuar situatën midis dy popujve dhe në shenjë solidariteti ndaj palestinezëve, për padrejtësitë e ndodhura atje nga Izraeli, siç ai shpjegoi.

“Gjithmonë kam qenë i përfshirë në çështje ndërkombëtare dhe kam pasur gjithmonë një ndjesi të fortë solidariteti me Palestinën dhe për padrejtësitë e mëdha që kanë përjetuar, duke nisur që nga vitet 1947-1948”, tha ai. 

Bowman nuk është i vetëm në kazuën e tij. Ai së bashku me miqtë është aktiv në Newcastle dhe shpesh herë mundohen që të rrisin ndërgjegjësimin publik për këtë çështje, që sipas tij nuk po trajtohet siç duhet. 

“Gjëja kryesore është se dua të rris solidaritetin e njerëzve për problemet e palestinezëve që kanë jetuar në kolonizimin izraelit, në një gjenocid. Arsyeja kryesore e këtij udhëtimi është që të tregoj se çfarë kanë përjetuar palestinezët për 75 vjet, duke jetuar nën okupim, nën një gjenocid, që ju janë vjedhur tokat e tyre dhe janë zhvendosur nga tokat e tyre, shtoi ai. 

Bowman publikon herë pas here në faqen që i ka dedikuar kazuës në rrjetin social “Facebook”, të quajtur “Ecja e Mick për në Palestinë” (“Mick’s Walk to Palestine”), përditësime nga rrugëtimi. Pa humbur kohë ai përshëndeti dhe i buzëqeshur nisi zbritjen e kodrës së Kalasë së Durrësit, për të vijuar drejt Rrogozhinës, në gjurmët e Rrugës Egnatia, aty ku misionarë të tjerë kanë shkelur ndër shekuj.