Dyshimet për korrupsion me fondet e BE-së, ministrja e bujqësisë fshihet pas fermerëve
Ministrja e bujqësisë, Frida Krifca, mbrojti në Kuvend Programin IPARD II, të cilin e ka drejtuar kur ishte drejtoreshë e agjencisë që menaxhon fondet e BE-së për bujqësinë dhe i tregoi opozitës se akuzat ishin një sulm ndaj të gjithë sektorit. Reagimi erdhi pas masës ekstreme të BE-së për ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve pas dyshimeve për korrupsion.
Ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Frida Krifca, mbrojti në Kuvend në seancën e së enjtes Programin IPARD II, duke i treguar opozitës se akuzat e saj për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian ishin një sulm ndaj sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.
“Kur sulmoni AZHBR-në duhet ta dini se keni sulmuar fermerët, keni sulmuar agro-përpunuesit, keni sulmuar një bashkësi njerëzish që mendohet të kenë injektuar bashkarisht, bashkë me AZHBR-në në bashkëfinancim, mbi 220 milion euro në 4 vitet e fundit”, tregoi Krifca.
Debati mbi dyshimet për korrupsion me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë shqiptare nisi pas publikimit në media të vendimit të Komisionit Evropian, për të ndërprerë përkohësisht rimbursimet për shpenzimet e kryera për Programin IPARD II.
Frida Krifca e ka drejtuar Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në periudhën korrik 2017 – shtator 2021, kohë kur u emërua ministre e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Hetimi i BE-së është fokusuar në periudhën që ajo e drejtonte AZHBR-në, që përkon me fazën e parë të programit në vitet 2014-2020.
Ministrja Krifca e quajti programin një sukses të padiskutushëm dhe i kërkoi opozitës që hetimi i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) të mos bëhej objekt i konsumit politikës së ditës.
Diskutimi nisi pas konfirmimit të lajmit se Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake për fondet e BE-së për bujqësinë, bazuar në një hetim të OLAF mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.
“Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaroi për Median Amfora, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.
Pavarësisht masës ekstreme të Komisionit Evropian për të pezulluar rimbursimet e fondeve, ministrja e bujqësisë e relativizoi çështjen duke treguar se raste të tilla janë shënuar në shumicën e vendeve ku është zbatuar programi.
“Kjo zyrë vihet në lëvizje menjëherë në momentin e denoncimit nga kushdo qytetar, i cili i parashtron arsye të besueshme për parregullsi, mashtrim, korrupsion dhe nëse do t’i referohemi raportit 4 vjeçar të OLAF, për periudhën 2016-2020, nga të 27 vendet e Bashkimit Evropian, vetëm në 2 prej tyre nuk ka pasur parregullsi”, tregoi Krifca nga foltorja e Kuvendit.
Ndërsa opozita e akuzoi atë dhe qeverinë shqiptare se ka abuzuar me fondet e bujqësisë, duke shkuar deri në përplasje verbale dhe gati fizike midis përfaqësuesve të saj dhe të mazhorancës.
Programi IPARD synon mbështetjen financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural përmes fondeve të BE-së, në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare, në masën 25%.
Faza e parë e Programit IPARD II u zbatua mes viteve 2014-2020 dhe alokoi për Shqipërinë mbi 71 milionë euro, ndërsa faza tjetër e Programit IPARD III pritej ta rriste ndihmën financiare në 146 milionë euro.
“Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, sqaroi më herët Zyra e BE-së në Tiranë.