Dosja e IPARD rikthehet në SPAK, “Nisma Thurje” kërkon hetimin e zyrtarëve shtetërorë
Përfaqësues të “Nismës Thurje” depozituan në SPAK një kallëzim penal për zyrtarët e Agjencisë për Bujqësinë (AZHBR) dhe për ish-ministren e bujqësisë Frida Krifca, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë korruptuar. Kjo është hera e dytë që zyrtarisht Programi IPARD shkon në SPAK, i cili herën e parë shpalli moskompetencën.
Përfaqësues të “Nismës Thurje” depozituan këtë të martë në SPAK një kallëzim penal për zyrtarë shtetërorë të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë korruptuar.
“Sot kemi depozituar në SPAK një kallëzim për abuzimin që është bërë me fondet e AZHBR-së, me fondet e IPARD-it, por edhe me fondet e ndihmës kombëtare”, deklaroi përpara mediave, Endri Shabani.
“Ne i kërkojmë SPAK-ut sot që të hetojë ish-ministren e bujqësisë, drejtuesin e AZHBR-së dhe të gjithë zinxhirin vendimmarrës, të cilët janë përgjegjës për atë vendim që është për herë të parë në historinë e Shqipërisë, ku ne përjashtohemi nga fondet e Bashkimit Evropian”, shpjegoi Shabani.
Përfaqësuesit e Partisë “Nisma Thurje” çuan në Prokurorinë e Posaçme ndër të tjera informacione të cilat vetë SPAK-u “i kishte larguar nga vetja kohë më parë”. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), ka depozituar më herët një kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
OLAF e depozitoi kallëzimin në qershor 2020 dhe dy vjet më vonë SPAK shpalli moskompetencën dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë së Tiranës, e cila bëri me dije për Median Amfora se, “…ky procedim penal vijon ende të jetë në fazën e hetimeve dhe pa emër autori të regjistruar në ngarkim”.
“…ka regjistruar procedimin penal nr. 7471, të vitit 2022, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal”, bëri me dije më parë Prokuroria e Tiranës.
Në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.
Zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi për herë të parë dyshimet për korrupsion me fondet e saj për bujqësinë shqiptare më 19 korrik. OLAF i dorëzoi Komisionit Evropian disa gjetje, të cilat e kanë detyruar Komisionin që të ndërpresë përkohësisht lëvrimin e granteve, deri në vlerësimin e raportit përfundimtar të hetimit të OLAF.
Ish-ministrja e bujqësisë, Frida Krifca, e ka drejtuar Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në periudhën korrik 2017–shtator 2021, kohë kur u emërua ministre e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Hetimi i BE-së është fokusuar në periudhën që ajo e drejtonte AZHBR-në, që përkon me fazën e dytë të programit, në vitet 2014-2020.
Media Amfora zbuloi në një investigim të mëparshëm se Programi IPARD u kthye në një “klub ekskluziv” për kompanitë e mëdha dhe ato të lidhura me politikën dhe krimin. Subjekte të hapura rishtazi dhe të tjerë pa eksperiencë në bujqësi, u ekspozuan në disa raste, duke krijuar skema familjare përfitimi apo duke mashtruar për destinacionin e investimeve.