Protestë dhe bojkot, nxënësit e Rrajcës kundërshtuan mësimin në lokale dhe kërkuan shkollë të re

Ndërtesa e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Sali Halili” në fshatin Rrajcë, të vlerësuar nga UNESCO, nuk i hapi sot dyert për shkak të amortizimit. 433 nxënësit dhe prindërit e tyre kundërshtuan zhvillimin e mësimit edhe këtë vit në lokalet dhe ambientet private të zonës, duke kërkuar rindërtimin e shkollës, për të cilën ekziston një projekt.

Këtë të hënë në mbarë vendin nisi viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar në institucionet publike dhe private, i cili do të zgjasi deri më 14 qershor për 70 mijë fëmijë në kopshte, për gati 280 mijë nxënës dhe për rreth 100 mijë gjimnazistë.

Por nxënësit e fshatit Rrajcë, në njësinë administrative me të njëjtin emër, nuk mundën të ndjenin emocionet e ditës së parë të shkollës, për shkak të rrënimit të shkollës së fshatit dhe kundërshtimit prej tyre që ta zhvillojnë mësimin në ambientet private të zonës.

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Sali Halili” në fshatin Rrajcë të Bashkisë Prenjas, për shkak të amortizimit dhe dëmtimeve të shkaktuara nga tërmetet e viteve të fundit, u mbyll përfundimisht për 433 nxënësit e saj.

“Që në 4 janarin e vitit 2023 godina e shkollës u shpall e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, pasi është e amortizuar”, rrëfeu për Median Amfora drejtori i shkollës, Vait Hallidri.

“Vitin e kaluar e mbyllëm vitin mësimor në lokalet me qira, që Bashkia e Prenjasit na vuri në dispozicion, shtoi Hallidri. 

Megjithëse për shkollën që gjendet në Qarkun Elbasan ka një projekt rindërtimi, muajt e verës kaluan pa e nisur zbatimin e tij dhe nxnënësit së bashku me prindërit protestuan këtë të hënë, duke kundërshtuar shpërndarjen e në lokalet dhe ambientet private.

“Prindërit dhe nxënësit nuk pranuan që të zhvillojnë mësim nëpër lokale. Janë 6 mjedise, lokale të zonës që dhe këtë vit na janë vënë në dispozicion nga ana e bashkisë. Por nxënësit dhe prindërit kërkojnë ndërtimin e godinës së shkollës dhe nuk pranuan që mësimi të zhvillohet në lokale”, shtoi Hallidri. 

Shkolla e bashkuar mbledh fëmijët e kopshtit, të ciklit 9 vjeçar dhe ata të gjimnazit. Së bashku me prindërit ata qëndruan në oborrin e shkollës së amortizuar dhe nuk pranuan të vijonin mësimin jashtë territorit të saj.

“Prindërit që vitin e kaluar u ankuan për kushtet e mësmit në lokale. Por nuk kishte zgjidhje. Është e papranueshme që të zhvillohet mësim në të njëjtën mënyrë edhe këtë vit”, tregoi për Median Amfora, Ajet Rira. 

Me origjinë nga zona, ai është larguar vite më parë drejt kryeqytetit dhe tashmë e ndan jetën midis angazhimeve atje dhe kontributit në Rrajcë. Teksa e referoi rastin në Median Amfora, Rira tregoi se banorët i përkasin një zone me tradita dhe që e shohin të ardhmen e tyre në fshat.

“Është një zonë mjaft e madhe. Ndryshe nga fshatrat e tjerë që po braktisen masivisht, në Rrajcë ka jetë dhe familjet dëshirojnë që t’i shkollojnë fëmijët e tyre, por në kushtet që nuk ndërtohet një shkollë e premtuar, projekti i së cilës është gati, banorët ndihen të braktisur”, u shpreh Rira.

Drejtori i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Sali Halili”, tregoi se pas protestës midis nxënësve, prindërve dhe mësuesve u arrit dakordësia për për tu takuar në ditët në vijim me përfaqësues të Ministrisë Arsimit dhe Sportit. Vetëm pas kësaj nxënësit pranuan që të marrin orarin mësimor për ditët e para të këtij sezoni shkollor. 

“U vendos që në ditët në vijim një përfaqësi e komunitetit të zhvillojë një takim në Ministrinë e Arsimit, për të kërkuar ndërtimin e godinës së shkollës së re”, sqaroi drejtuesi i shkollës. 

Për ndërtimin e kësaj shkolle Bashkia e Prenjasit ka hartuar edhe një projekt, por i cili ka mbetur në letër për shkak të kufizimeve të buxhetit të bashkisë për ta financuar.

Projekti i rindërtimit të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Sali Halili”. Burimi: Banorët e Fshatit Rrajcë

“E kemi parë edhe projektin. Është përcaktuar edhe vlera e tij, është 1 miliardë lekë. Ne jemi në pritje të zbatimit të tij dhe për këtë do të zhvillojmë dhe takim në Ministrinë e Arsimit”, tha drejtori Hallidri. 

Zona është e shquar edhe për më shumë se 18 liqenet akullnajore që ka në brendësi të saj dhe për pyjet e jashtëzakonshme, të cilat që prej vitit 2017-të janë klasifikuar si “rezervat natyror i mbrojtur” nga UNESCO (Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara), me motivacionin për ahun e lashtë të Evropës që ajo ruan.