Dita Ndërkombëtare e Muzeve e gjen Shqipërinë me shumë muze të kyçur

Dita Ndërkombëtare e Muzeve e gjeti Durrësin me dy prej institucioneve më të rëndësishme të mbyllura. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik dhe atij etnografik nuk ka përfunduar ende që pas goditjes së tërmetit të vitit 2019. Teksa kjo situatë ka paralizuar edhe muze të tjerë në vend.

18 Maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe në vendin tonë ajo manifestohet përmes aktiviteteve në muze të ndryshëm, por një pjesë e madhe e tyre kanë mbyllur dyert prej vitesh tashmë në kuadër të restaurimit.

Në Durrës dy muzetë e qytetit vazhdojnë të mos jenë gati për të pritur vizitorët, një situatë që pasohet kjo edhe në Tiranë, e në qarqet e tjera të vendit. Në qytetet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 situata është edhe më e theksuar pas nisjes së restaurimeve pas dëmtimeve nga lëkundjet sizmike.

Më 28 shtator të vitit të 2022 u deklarua nisja e punimeve për restaurimin total të Muzeut Arkeologjik Durrës, por punimet ende nuk kanë përfunduar. Ai po realizohet me një fond 348 milion lek ose rreth 3.2 milion euro, i financuar nga Bashkimi Evropian. Zhvilluesi për këtë projekt është Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, e njohur si UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Gjithashtu Muzeu Etnografik në qytetin e Durrësit është në pritje të nisjes së punimeve restauruese. Ndërtesa është njëkohësisht Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e njohur edhe si banesa ku jetoi për disa vite aktori i njohur me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Objekti u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe përfaqëson sot të vetmen shtëpi me çardak të shekullit XIX në Durrës.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) e caktoi Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në vitin 1977, por në Shqipëri vonesat në përfundimin e punimeve restauruese kanë kyçur prej vitesh tashmë muzetë e vendit.

Dita e sotme përbën një moment të një rëndësie të veçantë për komunitetin ndërkombëtar të muzeve.

Muzeu Historik Kombëtar njoftoi më herët se nga data 15 mars 2024, deri më 15 mars të vitit 2028 do të qendrojë i mbyllur për t’ju nënshtruar restaurimit. Por shumica e këtyre projekteve nga një vëzhgim i Amforës zvarriten dhe tejkalojnë afatin e përfundimit të punimeve.

Amfora raportoi më herët në “Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve” se Muzeu Etnografik i Beratit ishte i mbyllur për të pritur vizitorët. Restaurimi i tij duhej të përfundote deri në shtatorin e vitit 2023.

Po ashtu punimet e restaurimit të Muzeut Etnografik të Krujës parashikoheshin të përfundonin brenda 8 muajve pas nisjes në shkurt të vitit 2022. Por pas tejkalimit të afatit sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, punimet u mbyllën dhe ishin duke u kryer testimet e fundit deri në raportimin e Amforës, në muajin shkurt.

Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes mes popujve.

Çdo vit ICOM-os përcakton temën për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe tema e këtij viti ishte, “Muzetë për edukim dhe kërkim”, që synon të theksojë rëndësinë e muzeve si institucione edukative që nxisin të mësuarin dhe mirëkuptimin kulturor.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109