Skulptura në rërë, risia artistike në bregdetin e Durrësit
Artistë vendas dhe të huaj krijuan në bregdetin e Durrësit mbi 10 skulptura prej rëre, një aktivitet artistik që vjen për herë të parë. Juria vlerësoi me çmime artistët pjesëmarrës, të cilët sfiduan veten në përdorimin e rërës për të krijuar skulptura.
![](https://amfora.al/wp-content/uploads/2024/05/DJI_0810-2.jpg)
Në të djathtë skulptura që u vlerësua me çmimin e parë. Foto: Media Amfora
Artistë vendas dhe të huaj sollën në Durrës një eksperiencë ndryshe të krijimit të skulpturave, duke sjellë mbi 10 vepra arti në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.
Ky aktivitet u zhvillua në Durrës për herë të parë, duke sjellë përmes rërës vepra artistike me motive që ndërthurnin krijesat ujore me portretet njerëzore.
![](https://amfora.al/wp-content/uploads/2024/05/DJI_0839-2-1024x683.jpg)
“Ne kemi paraqitur një çift, pra vetveten, ku nënkuptoj veten dhe të dashurën time. E kemi paraqitur përmes oktapodit, shtrëngimi i tij përmes tentakulave, si një mesazh përqafimi i frymëzuar nga dashuria”, tregoi Selam Kastrati.
Artisti nga Kosova mori vlerësimin e parë nga juria profesioniste, për veprën e tij dedikuar dashurisë, që e solli përmes krijimit të një skulpture prej rëre që shfaqte dy oktapodë në ndërveprim.
“Është ideja e të dashurës sime dhe për mua ishte hera e parë që po e punoja në rërë dhe kisha dilema nëse do ja dilja ta realizoja në mënyrë profesionale”, përfundoi artisti i ri nga Kosova.
Ata u përballën me sfidën e krijimit të një vepre arti në rërë, që sipas tyre është një terren dhe material tepër delikat për krijimin e skulpturave, ndikuar edhe nga faktorët atmosferikë.
![](https://amfora.al/wp-content/uploads/2024/05/DJI_0859-1024x683.jpg)
Në aktivitetin që zgjati 3 ditë morën pjesë mbi 15 artistë nga Shqipëria, Kosova, Kina, Italia dhe vende të tjera të rajonit. Juria e aktivitetit përbëhej nga skulptori Qazim Kërtusha, piktori Artan Shabani, skulptori Alfred Mirashi, arkitekti Alket Meslani dhe piktorja Keidi Sejdiu.
“Uroj që ndër vite të vijojë ky koncept i realizimit të skulpturave në rërë dhe që të ketë kontribut më të shumtë nga artistët që punojnë vetëm në rërë sepse është e ndarë për ata që janë të specializuar në këtë fushë”, tregoi për Amforën, Avni Demiri.
![](https://amfora.al/wp-content/uploads/2024/05/IMG_0609-1024x768.jpg)
Artisti 29 vjeçar shpjegoi më tej se publiku kishte pasur interes të lartë për veprat e realizuara. Aktiviteti artistik i titulluar “Sand Art Durrës” u realizua nën kujdesin e arkitektit Indrit Hamiti, në bashkëpunim me “Inceptio Studio” dhe “Rotaract Club Durrës”, me mbështetjen e Bashkisë Durrës.