Bashkimi Evropian konfirmon dyshimet për korrupsion me programin e bujqësisë, pezullon fondet
Zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi dyshimet për korrupsion me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë shqiptare. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit më herët nuk dha detaje për Amforën mbi këtë hetim, por gjetjet kanë detyruar Komisionin Evropian të ndërpresë përkohësisht lëvrimin e grandeve deri në dorëzimin e raportit hetimor.
Komisioni Evropian ka vendosur pezullimin e përkohshëm të programit të mbështetjes për bujqësinë shqiptare përmes fondeve të Bashkimit Evropian, bazuar në dyshimet se ka pasur korrupsion në zbatimin e programit.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, sqaroi për Median Amfora, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.
Amfora ka pyetur më herët për këto dyshime Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], e cila sqaroi në formë zyrtare se zakonisht nuk jep komente për rastet që mund të trajtojë.
“Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si edhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale”, u përgjigj zyrtarisht zyra e OLAF.
Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë e konfirmoi paraditen e së mërkurës lajmin për bllokimin e fondeve për bujqësinë shqiptare, fillimisht pas interesimit të medias në internet “Oligarkia.al”. BE sqaroi se kjo masë është marrë për të mbrojtur nga abuzimet grandet e dhëna prej saj.
“Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaroi zyra e BE-së në Tiranë, për Median Amfora.
Programi IPARD synon mbështetjen financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural përmes fondeve të BE-së, në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare, në masën 25%.
Faza e parë e Programit IPARD II u zbatua mes viteve 2014-2020 dhe alokoi për Shqipërinë mbi 71 milionë euro, ndërsa faza tjetër e Programit IPARD III pritej ta rriste ndihmën financiare në 146 milionë euro.
Delegacioni i Bashkimit Evropian nuk komentoi mbi gjetjet e OLAF-it dhe përmendi se bëhej fjalë për zbatimin e programit IPARD II, në vitet 2014-2020.
“Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, përfundoi sqarimi i Zyrës së BE-së në Tiranë.
Programi IPARD në Shqipëri po zbatohet përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, institucion i qeverisë shqiptare i akredituar për administrimin e fondeve nga BE-ja dhe donatorë të tjerë.
Dyshimet për korrupsion rrezikojnë tashmë seriozisht përfitimin më tej të Shqipërisë nga fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, pas marrjes së kësaj mase ekstreme nga Komisioni Evropian.