Apeli i organizatave të medias përballet me kërcënime të tjera për punonjësit e medias

Sulmi verbal i kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj gazetares Ola Xama, u dënua nga organizata ndërkombëtare të medias, por kjo i nuk ndaloi kërcënimet ndaj punonjësve të medias. Po fundjavën e shkuar gazetarja Marsi Korreshi dhe ekipi i Televizionit “Syri” u penguan dhe u kërcënuan që të mos raportonin një takim elektoral të kandidatit socialist për Bashkinë Rrogozhinë.

Në fundjavën e dytë dhe tepër të nxehtë të korrikut u shënuan 2 sulme denigruese ndaj gazetarëve, shoqëruar me kanosje dhe kërcënime fizike ndaj punonjësve të medias.

Fillimisht gazetarja Ola Xama u përball me sulme verbale nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas publikimit të një artikulli investigativ nga gazetarja në median Reporter.al (BIRN) dhe që bazohej në hetimet e SPAK për koncesionin e mbetjeve në Tiranë, ku evidentohej roli i Veliajt në procedurat e kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në kryeqytet.

Ekspertët e medias dhe gazetarët e vlerësuan si shumë shqetësuese situatën e krijuar, e cila favorizon mjedisin armiqësor ndaj gazetarëve në vend.

“Sulmi ndaj Ola Xamës është shqetësues, pasi dëmton çdo përpjekje për gazetari të pavarur dhe që i kërkon llogari pushtetit në kushtet kur Shqipëria ka mungesë transparence dhe llogaridhënie, të konfirmuar nga raportet e pavarura ndër vite, përfshi edhe të Komisionit Evropian”, komentoi Blerjana Bino, përfaqësuese e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”.

Sipas ekspertes së komunikimit ajo që kërkohet është një reagim gjithëpërfshirës, pasi në të kundërtën sjelljet do të duken si normale në të ardhmen.

“Kërkohet reagim edhe më i gjerë publik dhe solidarizim me Ola Xamën dhe BIRN Albania, për të mos normalizuar sjellje të tilla, që janë tregues të qasjes anti-media kritike dhe cilësore”, u shpreh Bino për Median Amfora.

Ende pa kaluar sulmi verbal i Veliajt, i cili i dërgoi mesazhe Xamës në aplikacionin
“Whatsapp”, duke e cilësuar si “militante” dhe se “nuk ishte gazetare, por një killer me pagesë”, u regjistrua një tjetër ngjarje në Rrogozhinë.

Gazetarja e Televizionit  “Syri”, Marsi Korreshi, së bashku me ekipin e xhirimit u penguan që të raportonin të dielën e kaluar, teksa ishin në lidhje direkte për një takim elektoral të kandidatit socialist, Edison Memolla.

Ai është kryetari i Bashkisë Rrogozhinë dhe pas rizgjedhjes në detyrë, Kolegji Zgjedhor vendosi në favor të ankesës së koalicionit opozitar dhe zgjedhjet do të ripërsëriten këtë të dielë, më 23 korrik, duke risjellë fushatën elektorale në Rrogozhinë.

Teksa gazetarja Korreshi po raportonte në lidhje direkte takimin elektoral të kandidatit socialist, Edison Memolla, ku dyshohej se punonjësit e administratës kishin shkuar nën presion, por transmetimi direkt ju ndërpre disa herë nga presionet dhe kërcënimet fizike.

“Më pas ata guxuan erdhën edhe në lidhje direkte dhe i kërkuan shoferit që të largohej nga aty. Erdhën edhe makina që tentonin të xhironin gomat teksa ishim në transmetim dhe erdhën shumë pranë këmbëve tona dhe më pas u detyruam që të marrim policinë në telefon që të siguroheshim për tu larguar”, tregoi gazetarja Korreshi për Median Amfora.

“Nuk patëm sulm fizik, vetëm intimidime, kërcënime, ‘largohuni’ dhe fakti që ishin makina të shtrenjta, ishte një situatë e tensionuar që të ngjallte frikë”, shtoi ajo. Ndërsa shoferi i televizionit në një moment ku kap me forcë nga krahu nga një person që u referua më pas nga policia.

“Rasti i Marsi Korreshit është një rast flagrant i kërcënimit real dhe fizik gjatë raportimit live”, analizoi Blerjana Bino, përfaqësuese e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”, një organizatë për mbrojtjen e gazetarëve, me fokus në Ballkan.

Pas njoftimit nga gazetarët policia sqaroi se kishte shoqëruar në komisariat dy shtetasit e përfshirë në konflikt, 65 vjeçarin Arif Memolla dhe 47 vjeçarin Agim Memolla, të dy banues në Rrogozhinë. Gjithashtu ajo e kishte referuar ngjarjen në prokurori.

Bino theksoi se u është bërë thirrje aktorëve politikë që të respektojnë punën e punonjësve të medias, ndërkohë që vlerëson reagimin e policisë, por nuk duhet të mjaftohet me kaq sipas saj.

“Ne i kemi bërë thirrje Partisë Socialiste, por dhe të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë punën e gazetarëve. Reagimi i shpejtë i policisë ishte një veprim për tu përgëzuar, por nuk mund të mjaftohet me kaq, duhen ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm nga institucionet përkatëse që të mos përsëriten raste të tilla”, përfundoi ajo.  

Reagime për ngjarjet erdhën dhe nga organizatat ndërkombëtare të medias, ku u dënua veprimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kanosja ndaj gazetares Marsi Korreshi dhe ekipit të xhirimit të Televizionit “Syri”.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, e dënoi aktin dhe u shpreh në një postm në rrjetet sociale përmes fjalës në shqip, “MJAFT MË”!

“I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë të kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë? Z. Veliaj, MJAFT MË”, shkroi Gutiérrez.

Ndërsa më herët, në shkurt të këtij viti një grup xhirimi i emisionit “Fiks Fare” dhe gazetarja Antela Lika, u sulmuan nga disa persona ndërsa filmonin marrjen e inerteve nga lumi Zezë në Fushë-Krujë. Policia shpalli në kërkim tre persona të dyshuar për kërcënimin dhe nisi procedimin ndaj dy drejtuesve të kamionëve.