Kinemaja verore ndez Amfiteatrin e Durrësit
Në qytetin e Durrësit çdo ditë të mërkure qytetarët mund të ndjekin kinemanë verore të ngritur në arenën e amfiteatrit antik.
Pasardhësit e romakëve, Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës dhe bashkinë e qytetit, sjellin për herë të parë “Cine Club”.
Filma të kinematografisë italiane, realizime të viteve të fundit dhe jo vetëm, shlodhin publikun durrsak netëve të nxehta të verës.
“Interesi nga e mërkura në të mërkurë ka ardhur në rritje. Ne synojmë që ta vazhdojmë edhe vitet e tjera, duke shfaqur edhe dokumentarë, në bashkëpunim edhe me partnerë të tjerë”, tha për Amfora.al, Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.
Hyrja është e lirë për banorët e qytetit dhe pushuesit që kanë zgjedhur Durrësin. Shfaqja e filmave ka nisur më 10 korrik dhe do të vazhdojë deri më datë 4 shtator, ditën e mërkurë të çdo jave, në orën 20:30.