Kinemaja verore ndez Amfiteatrin e Durrësit

Në qytetin e Durrësit çdo ditë të mërkure qytetarët mund të ndjekin kinemanë verore të ngritur në arenën e amfiteatrit antik.

Pasardhësit e romakëve, Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës dhe bashkinë e qytetit, sjellin për herë të parë “Cine Club”.

Filma të kinematografisë italiane, realizime të viteve të fundit dhe jo vetëm, shlodhin publikun durrsak netëve të nxehta të verës.

Turistë duke vizituar amfiteatrin antik, përgjatë shfaqjes së një filmi. Foto: Geri Emiri

“Interesi nga e mërkura në të mërkurë ka ardhur në rritje. Ne synojmë që ta vazhdojmë edhe vitet e tjera, duke shfaqur edhe dokumentarë, në bashkëpunim edhe me partnerë të tjerë”, tha për Amfora.al, Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.

Hyrja është e lirë për banorët e qytetit dhe pushuesit që kanë zgjedhur Durrësin. Shfaqja e filmave ka nisur më 10 korrik dhe do të vazhdojë deri më datë 4 shtator, ditën e mërkurë të çdo jave, në orën 20:30.

Qytetarë duke ndjekur një film të shfaqur në arenën e amfiteatrit. Foto: Geri Emiri