Media dhe drejtësia përballë krimit të organizuar, diskutohen sfidat e informimit
Bashkëpunimi mes gazetarëve dhe institucioneve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor përballet me sfidën e garantimit të transparencës dhe informimit të publikut, pa cenuar hetimet penale dhe pavarësinë profesionale. Një konferencë rajonale trajtoi këto çështje, duke u ndalur te raportimi etik për krimin e organizuar, mbrojtja e viktimave dhe përmirësimi i komunikimit mes mediave dhe institucioneve ligjzbatuese.
Pamje nga konferenca rajonale për median dhe drejtësinë në Tiranë. Foto: Rrjetet sociale të GIZ-it.
Informimi i qytetarëve për hetimet ndaj krimit të organizuar, pa rrezikuar punën e prokurorisë dhe policisë, ishte në qendër të diskutimeve mes gazetarëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të policisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë një konference rajonale në Tiranë.
Konferenca, me temë “Nga hetimi te informimi publik: Forcimi i bashkëpunimit mes drejtësisë dhe medias kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor”, u zhvillua më 17 nëntor, ndërsa aktivitetet vijuan edhe të nesërmen. Diskutimet trajtuan mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtën për një gjykim të drejtë dhe përgjegjësinë e gazetarëve gjatë raportimit për çështjet penale.
Në hapje të konferencës morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Holandës, ndërsa diskutimet u zhvilluan në tri sesione, të përqendruara te transparenca e institucioneve, raportimi për viktimat dhe bashkëpunimi mes medias dhe drejtësisë.
Një nga çështjet kryesore ishte se sa informacion mund të bëhet publik gjatë një hetimi penal. Gazetarët kanë detyrën të informojnë qytetarët për çështje me interes publik, ndërsa prokurorët dhe policia duhet të mbrojnë provat, dëshmitarët dhe të dhënat që mund të ndikojnë në hetim. U trajtua gjithashtu nevoja që raportimet të mos cenojnë të drejtën e personave të dyshuar për një gjykim të drejtë.
Në këtë pjesë të konferencës u përfshinë përfaqësues të medias dhe institucioneve të drejtësisë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Një tjetër temë ishte mënyra se si raportohen rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimet e tjera që prekin drejtpërdrejt viktimat. Vëmendje iu kushtua mbrojtjes së të dhënave personale, sigurisë dhe dinjitetit të tyre, si dhe përgjegjësisë së institucioneve për të dhënë informacion të saktë pa ekspozuar personat që kanë nevojë për mbrojtje.

Në diskutimet për këtë çështje u përfshinë gazetarë investigativë, përfaqësues të policisë dhe prokurorisë, si dhe organizata që punojnë për mbrojtjen e viktimave në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Pjesa e tretë e konferencës u përqendrua te mënyrat konkrete për të përmirësuar komunikimin gjatë hetimeve dhe gjykimeve. U diskutua nevoja që institucionet të japin informacion më të qartë dhe t’u përgjigjen kërkesave të gazetarëve për çështje me interes publik, duke respektuar njëkohësisht kufizimet që lidhen me hetimet.
Diskutimet theksuan edhe rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së medias dhe institucioneve të drejtësisë. Bashkëpunimi mes tyre nuk nënkupton se duhet të kenë gjithmonë të njëjtat qëndrime. Gazetarët duhet të ruajnë të drejtën për të kontrolluar dhe kritikuar punën e institucioneve, ndërsa këto të fundit kanë përgjegjësinë të informojnë qytetarët dhe të japin llogari për veprimtarinë e tyre.
Aktiviteti vijoi më 18 nëntor me vizita në terren, gjatë të cilave pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe. Vizitat përfshinë një qendër që ofron mbështetje dhe shërbime riintegrimi për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës me bazë gjinore, një galeri arti të ngritur në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar, si dhe ambientet e organizatës Qëndresa Qytetare, ku u zhvillua një takim me aktivistë dhe gazetarë të “Citizens Channel”.
Konferenca u organizua nga programet rajonale “SustainMedia” dhe “EU4FAST”, të zbatuara nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Programi “SustainMedia” bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa programi “EU4FAST” financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian, e njëjta ministri gjermane, Ministria e Brendshme e Italisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.