“Kurum” humbet lejen mjedisore, 2.800 tonë mbetje të rrezikshme mbeten në Durrës
Dy vjet pas kthimit në Durrës të 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, të nisur drejt Tajlandës, kompania “Kurum International” ka humbur lejen mjedisore për veprimtarinë e saj në Elbasan. Mbetjet, të prodhuara nga aktiviteti industrial i kësaj kompanie, vijojnë të qëndrojnë të depozituara në Shënavlash, pa një zgjidhje për trajtimin e tyre.
Kontejnerët me mbetje të rrezikshme në Shënavlash. Foto-Media Amfora
Dy vite pas nisjes së 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, kompania “Kurum International”, nga aktiviteti i së cilës u prodhuan këto mbetje, ka humbur lejen mjedisore për veprimtarinë e saj në Elbasan.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, firmosi më 3 nëntor 2026 urdhrin për shfuqizimin e lejes mjedisore të tipit A, që kompania dispononte prej vitit 2016 për prodhimin dhe përpunimin e çelikut dhe veprimtari të tjera në Kombinatin Metalurgjik, në Bradashesh.
“Shfuqizimin e lejes së mjedisit me PN-3843-09-2016, të subjektit ‘KURUM INTERNATIONAL’”, shrkuhet në urdhrin e ministrit, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Vendimi vjen pas një inspektimi të zhvilluar më 15 qershor të këtij viti nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), ku u konstatuan shkelje në mënyrën se si kompania administronte dhe transferonte mbetjet e prodhuara nga aktiviteti i saj.
Sipas vendimit përfundimtar të inspektimit, të datës 25 qershor, kompania kishte transferuar mbetje skoriesh te një subjekt tregtar, në kundërshtim me kushtet e lejes mjedisore. Në një tjetër rast, mbetjet ishin transferuar te një kompani që nuk ishte e licencuar për trajtimin e tyre.
Për këto shkelje, AKM-ja vendosi një gjobë prej 2,6 milionë lekësh ndaj “Kurum International”, si dhe pezullimin e aktivitetit.
Kompania e ankimoi vendimin, por më 15 shtator Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm e la në fuqi vendimin e inspektimit.
Më 21 tetor, komisioni pranë AKM-së propozoi shfuqizimin e lejes mjedisore, propozim që u miratua nga ministri i Mjedisit në fillim të nëntorit.
Ndërsa kompania humbet lejen për aktivitetin industrial në Elbasan, fati i rreth 2.800 tonëve mbetje të rrezikshme, të prodhuara prej saj dhe të rikthyera në Shqipëri në tetor të vitit 2024, mbetet i pazgjidhur.
Siç ka raportuar më herët Media Amfora, hetimi i Prokurorisë së Durrësit zbuloi se mbetjet ishin paraqitur në dokumentacionin e eksportit si mall tregtar industrial, pa iu nënshtruar verifikimeve që do të përcaktonin rrezikshmërinë e tyre.
Hetimi përfshiu përfaqësues të kompanisë “Kurum International”, subjekte të tjera private të përfshira në eksportin e mbetjeve, si dhe punonjës e drejtues të doganës, portit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Durrësit caktoi masat e sigurisë për 20 nga 33 personat e dyshuar, ndërsa administratorët dhe drejtuesit e kompanive private, të dyshuar si organizatorë të transportit të paligjshëm të mbetjeve, ishin shpallur në kërkim.
“Kurum International” ka mohuar përfshirjen në eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
Pas kthimit në Portin e Durrësit, kontejnerët u sekuestruan në nëntor të vitit 2024 dhe u zhvendosën në Porto-Romano, ku qëndruan për rreth një vit. Në mars të këtij viti, ato u transportuan në Shënavlash, pranë banesave, bizneseve dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Në një reportazh të publikuar në gusht, Amfora dokumentoi praninë e 102 kontejnerëve në këtë zonë të banuar, ndërsa banorët treguan se nuk ishin informuar nga institucionet për vendosjen e mbetjeve pranë tyre.
“Ne nga televizori e morëm vesh për këto mbetje. Askush nuk na ka thënë gjë”, tregoi një banor i zonës për Amforën.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, që ka në ruajtje kontejnerët, e argumentoi përzgjedhjen e Shënavlashit me arsye “logjistike dhe operacionale”.
Megjithatë, në përgjigjet zyrtare për Amforën, institucionet nuk kishin bërë të ditur një afat për largimin dhe trajtimin përfundimtar të mbetjeve.
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit për heqjen e lejes së “Kurum International” nuk përcakton masa për trajtimin e mbetjeve të depozituara në Durrës, të cilat vijojnë të jenë objekt i hetimit penal.