Këshilltarja e kryeministrit emërohet në krye të SHISH-it

Presidenti Bajram Begaj emëroi në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit Esmeralda Hasanin, e cila ka qenë e angazhuar pranë Kryeministrisë. Ajo merr drejtimin e institucionit pas shkarkimit të Vlora Hysenit që është nën hetim nga SPAK për nxjerrjen e të dhënave sekrete dhe lidhjen me krimin e organizuar.

Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka një drejtuese të re, pas largimit nga detyra të Vlora Hysenit, e cila po përballet me drejtësinë. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi të enjten emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të institucionit, me propozim të kryeministrit Edi Rama.

“Zonja Esmeralda Hasani emërohet në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkruhet në dekretin e Presidentit, i cili hyn në fuqi menjëherë.

Hasani vjen në krye të shërbimit informativ pas një karriere në administratën publike, mësimdhënie dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare, si dhe pas disa vitesh angazhim pranë Kryeministrisë.

Në një profil të publikuar në vitin 2022 nga “Creative Forum”, një forum ndërkombëtar për industritë krijuese dhe sipërmarrjen, ajo prezantohej si konsulente e lartë pranë Zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë për planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.

Nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, Hasani shërbeu si këshilltare dhe shefe kabineti e ministrit të Shtetit për Diasporën. Ajo ka drejtuar gjithashtu Institutin Barleti për Kërkim dhe Zhvillim dhe ka qenë e angazhuar si eksperte e Komisionit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit.

Sipas jetëshkrimit të saj profesional, Hasani ka kryer studimet për të drejtën ndërkombëtare në Milano dhe për planifikimin e zhvillimin e projekteve në Bruksel. Ajo ka përvojë edhe në bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare.

Emërimi i Hasanit vjen pas zhvillimeve të shtatorit në SHISH, kur drejtuesja e atëhershme e institucionit, Vlora Hyseni, u përfshi në hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Siç ka raportuar më herët Media Amfora, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj Hysenit masën e arrestit shtëpiak dhe pezullimin nga detyra. Ajo dyshohet për veprat penale të nxjerrjes së të dhënave sekrete dhe përkrahjes së autorit të krimit.

Pas vendimit të gjykatës, kryeministri Edi Rama propozoi shkarkimin e saj, ndërsa Presidenti Begaj e dekretoi largimin e Hysenit nga drejtimi i SHISH-it më 22 shtator.

Edhe Hyseni, përpara emërimit në krye të shërbimit informativ shqiptar, kishte shërbyer si këshilltare e kryeministrit Rama për çështjet e sigurisë, pas një karriere në institucionet e inteligjencës së Kosovës.

Me emërimin e Esmeralda Hasanit, drejtimi i SHISH-it i besohet sërish një personi që ka qenë i angazhuar profesionalisht pranë kryeministrit.