SPAK kërkon konfiskimin e 16 pasurive në Tiranë dhe Durrës, dyshime për të ardhura nga trafiku i drogës
SPAK kërkoi konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, me vlerë tregu mbi 2 milionë euro, pasi dyshon se janë krijuar me të ardhura të paligjshme. Pasuritë lidhen me Nikolin dhe Klevent Gjolenën, të hetuar për trafik droge, ndërsa njëri prej tyre është dënuar për çështjen e 485.5 kilogramëve kokainë të sekuestruar në Fier.
Godina e SPAK. Foto ilustrative Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi të premten konfiskimin e 16 pronave në Tiranë dhe Durrës, me vlerë mbi 2 milionë euro, që lidhen me dy persona të përfshirë në një çështje të trafikut të kokainës.
Nga 16 pasuritë, 11 ndodhen në zonën e Plazhit në Durrës dhe pesë të tjera në Tiranë. Bëhet fjalë për apartamente, njësi tregtare dhe garazhe, për të cilat Prokuroria dyshon se janë blerë me para të paligjshme.
“Ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në indicie”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, e cila thekson se personat e hetuar nuk arritën të provonin ligjshmërinë e të ardhurave të përdorura për krijimin e pasurive.
Sipas SPAK-ut, hetimet kanë ngritur dyshime se të ardhurat e përdorura për blerjen e pronave nuk kanë burim të ligjshëm.
Në Durrës janë identifikuar tetë apartamente dhe tri njësi tregtare në lagjen nr. 13, në zonën e Plazhit. Në Tiranë bëhet fjalë për tre apartamente dhe dy garazhe, një pjesë e të cilave ndodhen në rrugën “Shinasi Dishnica”.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu pesë transferta parash, me vlerë të përgjithshme 404,733 euro dhe 42,942 dollarë, të cilat dyshohet se janë përdorur për financimin e disa prej pronave. Paratë kanë ardhur nga vende të Amerikës Qendrore dhe Karaibeve, në emër të familjarëve të personave nën hetim.
Çështja e pasurive lidhet me hetimet për trafik ndërkombëtar droge ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës. Më 24 nëntor 2022, në Frakull të Madhe të Fierit, autoritetet sekuestruan 485.5 kilogramë kokainë, të fshehur në një ngarkesë me pleh artificial të ardhur nga Kolumbia.
Për këtë çështje, Nikolin Gjolena u dënua më 26 qershor 2024 me 11 vjet e 4 muaj burg. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 30 dhjetor të po atij viti.
Sipas SPAK-ut, vlera e pronave në kohën e lidhjes së kontratave ishte rreth 1 milion euro, ndërsa sot vlera e tyre në treg përllogaritet mbi 2 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimet do të vijojnë për të identifikuar pasuri të tjera që mund të lidhen me veprimtari kriminale. Kërkesa për konfiskimin e 16 pronave do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, e cila do të vendosë nëse ato do t’i kalojnë shtetit.