Gjykata e Durrësit shpall të paligjshëm arrestimin e një të mituri, 22 protestues përpara togave të zeza
Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e një të mituri gjatë ditës së parë të protestave, duke vendosur ndaj tij masën e detyrimit për t’u paraqitur. Ndërkohë, këtë të diel, 22 protestues të arrestuar dalin para gjykatës, ndërsa për shtatë prej tyre Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg”.
Gjykata e Durrësit. Foto: Media Amfora
Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e një prej dy të miturve të ndaluar gjatë protestës së të enjtes, më 15 tetor, në qytet.
Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar të shtunën, kur gjykata caktoi ndaj të miturit masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”. Ai dyshohet për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pjesëmarrje në një grumbullim të paligjshëm pas paralajmërimit për shpërndarje.
Për të miturin tjetër, gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, por caktoi gjithashtu masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” në policinë gjyqësore. Akuzat ndaj tij lidhen me goditjen e punonjësve të policisë për shkak të detyrës dhe pjesëmarrjen në një grumbullim të paligjshëm pas paralajmërimit për shpërndarje.
Ndërkohë, mëngjesin e së dielës, më 18 tetor, prania e forcave të policisë ishte shtuar pranë Gjykatës së Durrësit, ku pritet të shqyrtohen masat e sigurisë për 22 protestues të tjerë të arrestuar gjatë përplasjeve të së enjtes.

Përpara gjykatës kishte prezencë të shtuar të uniformave blu, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtari Orgent Nazaj. Për shtatë prej të arrestuarve Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Të arrestuarit janë pjesë e grupit të protestuesve të ndaluar pas përplasjeve të 15 tetorit në Durrës, kur të rinjtë u përballën me forcat e policisë dhe u regjistruan dëmtime të pronës publike.
Protestat vijuan edhe gjatë dy ditëve pasuese, ndërsa të rinjtë kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe të arrestuar nga policia.