Organizatat e shoqërisë civile bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të drejtës së protestës

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës gjatë protestave, mbrojtjen e jetës dhe respektimin e të drejtës për tubime paqësore. Deklarata e përbashkët u kërkon protestuesve vetëpërmbajtje dhe autoriteteve të shmangin përdorimin e pajustifikuar të forcës.

Përballë tensioneve dhe raportimeve për persona të dhunuar. të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, 18 organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

Në deklaratën me titull “Ndaloni dhunën, mbroni jetën dhe të drejtën për protestë paqësore”, organizatat theksojnë se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësi.

“Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësia absolute”, shrkuhet në deklaratë.

Organizatat kujtojnë se protesta paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës së Shqipërisë, neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Ato u bëjnë thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin sulmet ndaj personave dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa theksojnë se autoritetet kanë detyrimin të lehtësojnë zhvillimin e tubimeve paqësore dhe të parandalojnë lëndimet.

Sipas deklaratës, çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional, duke u dhënë përparësi mjeteve paqësore.

“Aktet e dhunës së individëve të veçantë nuk justifikojnë ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë”, theksojnë organizatat.

Në dokument dënohet çdo përdorim i pajustifikuar ose disproporcional i forcës nga strukturat policore. Organizatat shprehen se ruajtja e rendit publik nuk mund të përdoret si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave të qytetarëve.

Një tjetër kërkesë lidhet me trajtimin e personave të lënduar dhe të ndaluar gjatë protestave. Organizatat kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore për të lënduarit, mbrojtje të posaçme për të miturit dhe respektimin e të drejtave të çdo personi të ndaluar.

Ato kërkojnë gjithashtu që çdo pretendim për dhunë apo përdorim të paligjshëm të forcës të hetohet shpejt, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

Deklarata u drejtohet edhe përfaqësuesve politikë dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore, të cilëve u kërkohet të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog.

Mes 18 organizatave nënshkruese është edhe Qendra Amfora, së bashku me “Civil Rights Defenders Shqipëri”, “SCiDEV”, “Rrjeti AWEN”, “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim”, “Faktoje”, “Albanian Institute of Science”, “BIRN Albania”, “Citizens.al”, “Partners Shqipëri”, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe organizata të tjera të shoqërisë civile.

Thirrja vjen pas disa ditësh protestash të të rinjve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat janë shoqëruar me përplasje, dëmtime të pronës dhe ndërhyrje të forcave të policisë.

“Respektoni të drejtën e protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik”, përfundon deklarata e përbashkët e organizatave.