Protestat në Shqipëri, policia arreston 152 persona dhe procedon penalisht 324 të tjerë

Policia e Shtetit raportoi 152 persona të arrestuar dhe 324 të proceduar penalisht gjatë protestave të zhvilluara në disa qytete të Shqipërisë. Sipas bilancit nga përplasjet janë dëmtuar 120 punonjës policie, ndërsa nuk bëhet i ditur numri i protestues të plagosur.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, bëri publik të premten, më 16 tetor, bilancin e arrestimeve dhe procedimeve penale gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës.

Në një deklaratë publike, Ziu njoftoi se në Tiranë janë arrestuar 127 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 244 të tjerë, të dyshuar për ushtrim dhune ndaj punonjësve të policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore dhe shkatërrim të pronës publike e private.

Sipas policisë, gjatë protestave në kryeqytet janë dëmtuar edhe bankomate, kamera sigurie, automjete dhe rrethime metalike.

Në Durrës, policia raportoi 23 persona të arrestuar në flagrancë dhe 12 të proceduar penalisht për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të policisë, si dhe dëmtim të institucioneve shtetërore dhe pronave publike e private.

Në Korçë janë arrestuar dy persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 të tjerë. Sipas deklaratës, ata dyshohen për kundërshtim dhe dhunë ndaj efektivëve, si dhe dëmtime me sende të forta dhe zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe pronave publike.

Në Vlorë, 20 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për pengim të procesit mësimor në disa shkolla, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dëmtim të pronës publike.

Ndërkohë, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë nëntë persona për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të policisë, si dhe dëmtime të institucioneve shtetërore dhe pronave publike e private. Gjatë protestës në Shkodër mbeti i plagosur rëndë një punonjës i Policisë së Rendit, i cili, sipas Ziut, ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia deklaroi se autori i dyshuar është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës. Në deklaratën e Policisë së Shtetit nuk bëhet i ditur numri i protestuesve të plagosur gjatë përplasjeve me forcat e rendit

Në Elbasan janë proceduar penalisht gjashtë persona për dëmtimin e xhamave të një institucioni shtetëror, sinjalistikës rrugore dhe tabelave reklamuese, ndërsa në Kukës janë proceduar dhjetë persona për dëmtimin e sinjalistikës dhe tabelave.

Sipas bilancit të Policisë së Shtetit, në total rezultojnë 152 persona të arrestuar dhe 324 të proceduar penalisht në shtatë qytetet e përmendura në deklaratë.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se gjatë protestave në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës janë dëmtuar 120 punonjës policie.

Protestat nisën në Tiranë më 13 tetor dhe u shtrinë më pas në qytete të tjera. Në Tiranë, tubimet u shoqëruan me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa në Durrës u regjistruan zjarre në sheshin “Liria” dhe dëmtime në godinën e Prefekturës.

Të dhënat e publikuara nga Policia e Shtetit përfaqësojnë bilancin e raportuar deri më 16 tetor. Arrestimet dhe procedimet penale lidhen me dyshime për kryerjen e veprave penale dhe nuk përbëjnë vendime përfundimtare për fajësinë e personave të përfshirë.