Pretendimet për policë serbë në protestë u përhapën pa prova dhe nxitën dyshime për ndërhyrje të huaj

Publikime në rrjetet sociale pretenduan se gjatë protestave në Tiranë ishin angazhuar policë dhe mercenarë nga Serbia për të ndërhyrë ndaj protestuesve. Pretendimet u shoqëruan me mesazhe anonime, fotografi dhe video, ndërsa Policia e Shtetit mohoi përfshirjen e efektivëve serbë në tubimin e 15 tetorit.

Protesta e studentëve, e zhvilluar të enjten, më 15 tetor, në Tiranë, u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në rrjetet sociale nisën të qarkullonin publikime që pretendonin se për ndërhyrjen ndaj demonstruesve ishin angazhuar edhe policë dhe mercenarë nga Serbia. Pretendimet u përhapën përmes fotografive, videove dhe mesazheve anonime, pa u shoqëruar me prova që vërtetonin praninë e efektivëve të huaj.

Në një postim në Instagram, profili “shqiperia_e_shqiptarve.1444” publikoi pamjen e një bisede të pretenduar me një punonjës policie, i cili paralajmëronte se në Shqipëri ishin sjellë mercenarë nga Serbia për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

“Kan sjell mercenar nga serbia per te kryer arrestime dhe dhune me urdher te rames”, shkruhej në mesazhin anonim, ku pretendohej gjithashtu se ndërprerjet e energjisë elektrike në disa lagje të Tiranës ishin pjesë e përgatitjeve për ndërhyrje ndaj protestuesve, shkruhej në postim.  

Policia e Shtetit reagoi mesnatën e së enjtes duke i cilësuar të pavërteta pretendimet për angazhimin e efektivëve serbë gjatë protestës së 15 tetorit.

“Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave”, shrkuhet në deklaratën zyrtare. 

Institucioni vlerësoi se përhapja e këtyre pretendimeve synonte të shfrytëzonte ndjenjat nacionaliste, të krijonte klimë konfliktuale dhe të cenonte besimin e qytetarëve te policia. 

Publikimi i shpërndarë që në momnetin e monitorit kishte marrë 162 mesazhe u kërkonte madje qytetarëve të qëndronin në grupe dhe të shmangnin vendet pa ndriçim.

Ai shoqërohej me mbishkrimin “Kini kujdes”, ndërsa nuk paraqitej asnjë provë për identitetin e personit që pretendonte se ishte punonjës policie apo për informacionet e dhëna prej tij.

Një tjetër publikim nga profili “thatsjurgen” ngriti pretendimin se mercenarë serbë po rrëmbenin gra gjatë protestave në Tiranë. Në videon e shpërndarë shfaqen disa persona pranë një automjeti të bardhë, ku njëri prej tyre qëndron pranë derës së hapur.

“Mercenarë serb po rrëmbejnë femra”, shkruhej mbi pamjet, ndërsa publikimi shoqërohej me thirrjen “Fiksojani fytyrën” dhe etiketa të lidhura me protestat studentore në Shqipëri.

Në momentin e monitorimit, videoja kishte marrë rreth 11800 pëlqime dhe 938 komente. Megjithatë, pamjet nuk shoqëroheshin me prova që identifikonin personat si shtetas serbë, mercenarë apo pjesëtarë të strukturave të huaja të sigurisë. Nga materiali i publikuar nuk mund të konfirmohet pretendimi për rrëmbimin e grave, ndërkohë që orët e vështira për qytetarët krijoi panik. 

Narrativa për përfshirjen e policëve të huaj gjatë protestave në Tiranë vijoi edhe përmes një publikimi nga faqja “antidrroga07”, e cila pretendoi se qeveria shqiptare po bashkëpunonte me atë serbe për të shtypur protestat studentore.

Postimi shoqërohej me një fotografi të mëparshme të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të vendosur përpara një turme protestuesish, me mbishkrimin: “Qeveria shqiptare akuzohet se po bashkëpunon me atë serbe për të shtypur revoltën e studentëve”.

Në përshkrimin e publikimit, faqja pretendonte se kishte marrë një denoncim nga Serbia, sipas të cilit një autobus me policë serbë kishte mbërritur në Shqipëri, ndërsa të tjerë priteshin të vinin. Pretendohej gjithashtu se një bashkëpunim i ngjashëm kishte ndodhur gjatë protestave në Serbi, kur efektivë nga Shqipëria dhe Kosova ishin dërguar për të ndihmuar presidentin Vuçiç.

Faqja shkruante se kishte kontaktuar burime pranë Policisë së Shtetit, të cilat, sipas saj, kishin konfirmuar praninë e efektivëve të huaj që nuk flisnin shqip. Publikimi përmendte edhe uniforma me mbishkrimin “POLIZEI” dhe efektivë pa shenja identifikuese, por nuk paraqiste dokumente apo prova të verifikueshme që mbështesnin pretendimet për përfshirjen e policëve serbë.

Në fund, faqja u bënte thirrje ndjekësve të dërgonin pamje, dokumente ose informacione të tjera. Përdorimi i fotografisë së mëparshme të dy udhëheqësve, krahas pretendimeve për bashkëpunim policor, e vendoste protestën studentore në kontekstin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Serbisë, pa dokumentuar lidhjen e pretenduar mes tyre.

Policia e Shtetit i cilësoi pretendimet “tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe”, duke vlerësuar se përhapja e tyre synonte “të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit”.

Pretendimet qarkulluan ndërsa protestat studentore të 15 tetorit në Tiranë u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa në Durrës marshimi i të rinjve u pasua nga zjarre në sheshin “Liria” dhe dëmtime të godinës së Prefekturës. Delegacioni i Bashkimit Evropian reagoi duke dënuar dhunën dhe duke kërkuar vetëpërmbajtje, dialog dhe respektimin e lirisë së tubimit.

Publikimet e lidhën ndërhyrjen e policisë gjatë protestave me përfshirjen e pretenduar të shtetasve serbë dhe izraelitë, pa dokumentuar identitetin apo përkatësinë e personave të përmendur. 

Në publikimet e shpërndara në rrjetete sociale u përdorën mesazhe anonime, fotografi dhe video për të pretenduar se gjatë protestës në Tiranë kishin ndërhyrë policë nga Serbia. Në asnjërin prej materialeve të shqyrtuara nuk u paraqitën prova që konfirmonin praninë e tyre, ndërsa Policia e Shtetit e përgënjeshtroi këtë pretendim.