Indeksi kombëtar: 11 bashki pa buxhet të dedikuar për mirëqenien e kafshëve
Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Animals Need Me” prezantoi të dhënat e një indeksi për mirëqenien e kafshëve, gjatë një tryeze për kujdesin ndaj tyre dhe sigurinë e qytetarëve. Nga 17 bashkitë që u përgjigjën për vitin 2026, vetëm dy raportuan strehë funksionale për kafshët, ndërsa 11 nuk kishin parashikuar fonde posaçërisht për mirëqenien e tyre.
Gjatë tryezës për mirëqenien e kafshëve në Tiranë. Foto: Organizata “Animals Need Me”.
Organizata “Animals Need Me” prezantoi më 1 tetor 2026, në Europe House në Tiranë, Indeksin e Mirëqenies së Kafshëve 2025-2026, në një tryezë kombëtare mbi shërbimet bashkiake për kafshët dhe lidhjen e tyre me sigurinë publike.
“Nga 61 bashki të kontaktuara gjatë viteve 2025-2026, 24 u përgjigjën të paktën një herë. Në vitin 2026, vetëm 2 nga 17 bashkitë përgjigjëse raportuan strehë funksionale, ndërsa 11 nuk kishin zë buxhetor të dedikuar”, shkruhet në njoftimin e organizatës pas takimit në nivel kombëtar.
“Animals Need Me” është një organizatë me seli në Shkodër, që punon që prej vitit 2012 për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve në Shqipëri. Puna e saj përfshin shpëtimin, trajtimin, sterilizimin dhe gjetjen e familjeve adoptuese për kafshët.
Të dhënat e bëra publike përfshijnë vetëm bashkitë që u përgjigjën, ndaj nuk japin një pasqyrë të plotë për të gjithë vendin. Nga vëzhgimet e Amforës në terren janë konstatuar raste të rënda të keqtrajtimit të kafshëve në qytetet shqiptare.
“Mirëqenia e kafshëve nuk është vetëm çështje dhembshurie. Ajo lidhet me zbatimin e ligjit, shëndetin publik dhe sigurinë e njerëzve”, shkruhet në njoftimin e organizatës.
Tryeza “Mirëqenia e kafshëve si politikë vendore dhe çështje e sigurisë publike” mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Delegacionit të BE-së, AKVMB-së, Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar, Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prefekturës së Qarkut Shkodër, bashkive dhe shoqërisë civile.
Në tryezë u paraqitën edhe të dhëna nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB). Sipas njoftimit të organizatës, autoriteti kishte marrë informacion mbi strehëzat nga 38 prej 61 bashkive. Prej tyre, pesë kishin strehëza aktive, ndërsa dy i kishin në proces.
AKVMB-ja dhe organizata i kanë mbledhur veçmas të dhënat, duke marrë përgjigje nga një numër i ndryshëm bashkish.
Sipas të njëjtit njoftim, AKVMB-ja raportoi gjithashtu 2 760 sterilizime të kryera dhe të monitoruara gjatë periudhës 2024–2026, si dhe 49 raste të trajtuara nga grupet e inspektimit në terren.
Në tryezë u diskutua nevoja që bashkitë të kenë shërbime veterinare dhe fonde të posaçme për kujdesin ndaj kafshëve. Pjesë e diskutimit ishte edhe regjistrimi i kafshëve, pajisja e tyre me mikroçip për identifikim dhe bashkëpunimi më i mirë mes institucioneve.
Një pjesë e tryezës iu kushtua mënyrës se si mediat e trajtojnë këtë çështje. Organizata analizoi 84 artikuj të publikuar nga 17 media gjatë vitit 2025.
Sipas analizës, 29,8% e artikujve u nxitën nga kafshime ose sulme nga qentë, ndërsa 16,7% nga zhvillimet ligjore. Më shumë se gjysma e artikujve të shqyrtuar, 51,2%, nuk citonin asnjë ligj.