SPAK vendos në arrest shtëpie shefen e SHISH, kontrollohet banesa e ish-kryepolicit Ilir Proda
Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, u vendos në arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra, ndërsa SPAK kontrolloi banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në zhvillimet e reja të hetimit për tenderët e AKSHI-t.
Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Foto: SHISH
SPAK shtriu të martën hetimin për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit te drejtues dhe ish-drejtues të institucioneve të sigurisë, duke siguruar masa sigurimi ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe dy personave të tjerë, ndërsa kontrolloi banesën dhe kreu kontroll personal ndaj ish-kryepolicit Ilir Proda.
“Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme […] ka caktuar masa sigurimi”, njoftoi SPAK, duke bërë të ditur se vendimet ishin marrë më 21 shtator.
Ndaj Hysenit, Gjykata e Posaçme caktoi masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Drejtoresha e SHISH është person nën hetim për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së të dhënave sekrete, sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme.
Hyseni drejton Shërbimin Informativ Shtetëror që prej prillit 2023. SHISH është institucioni qendror i inteligjencës në vend, me përgjegjësi për grumbullimin dhe analizimin e informacionit që lidhet me sigurinë kombëtare.
Në të njëjtën çështje, Gjykata vendosi “arrest në burg” për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, të identifikuar nga SPAK me inicialet F.K., i cili dyshohet për nxjerrjen e të dhënave sekrete.
Masë “arrest në burg” u caktua edhe ndaj E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit. SPAK njoftoi se Policia e Shtetit kishte ekzekutuar dy nga tre masat e sigurimit, pa specifikuar në njoftim se cilat prej tyre ishin zbatuar.
Hetuesit u drejtuan gjithashtu në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Gjykata e Posaçme kishte autorizuar më 20 shtator kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të tij. SPAK nuk njoftoi masë sigurimi ndaj Prodës dhe as akuzë penale ndaj tij në këtë fazë të hetimit.
Zhvillimet janë pjesë e të njëjtit hetim që nisi me dyshimet për manipulimin e tenderëve të AKSHI-t. SPAK e regjistroi çështjen në vitin 2025, duke ngritur dyshime se një grup personash kishte ndërhyrë në procedurat e prokurimit për të favorizuar kompani të paracaktuara.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në disa tenderë dyshohet se janë vendosur kritere të paligjshme për favorizimin e kompanive të caktuara, ndërsa përfaqësues të operatorëve konkurrues janë detyruar të tërhiqnin ankimimet, duke i hapur rrugë fituesve të paracaktuar. Hetimi përfshin dyshime për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqje të paligjshme të lirisë, pastrim parash dhe veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal.
Masat e reja ndaj Hysenit dyshohet se lidhen me hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi, një nga personat e vënë nën akuzë në këtë dosje. Dzyshohet se 19 procedura prokurimi të hetuara nga SPAK kishin një fond limit prej rreth 5.9 miliardë lekësh.
Hetimet e SPAK për çështjen vijojnë, ndërsa personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.