Bashkia u prishi kanalin që ndërtuan vetë, qindra banorë në Durrës mes ujërave të zeza dhe rrezikut nga përmbytjet

Bashkia e Durrësit prishi në muajin prill kanalin e ndërtuar nga vetë banorët e lagjes nr. 13, me premtimin për ta përmirësuar. Por, prej muajsh, kanali mbetet i hapur pranë shtëpive, ndërsa banorët kërkojnë sistemimin e tij përpara nisjes së shirave.

Shtatori ende i nxehtë e zgjat shqetësimin e banorëve të zonës mes Shkozetit dhe Plazhit, në lagjen nr. 13 të Durrësit. Në rrugën “Princesha Etleva”, era e rëndë nga kanali i hapur i ujërave të zeza shoqëron përditshmërinë e banorëve, ndërsa pjesë të rrugës kanë rrëshqitur drejt kanalit.

Petrit Gjyli, banor i lagjes, ka ndryshuar edhe rrugën nga hyn e del në banesën e tij. Që prej prillit përdor një dalje në pjesën e pasme të shtëpisë, të cilën më parë nuk e përdorte kurrë. Banesa ndodhet buzë rrugës, pranë kanalit ku bashkia ndërhyri pas përmbytjeve të dimrit.

“Problemi është që ky kanal është hapur nga bashkia sepse pati përmbytje, ne nuk jemi kundra që ky kanal të bëhet si duhet, problemi është që të bëhet edhe ne të na rregullohet, të mbyllen ujërat e zeza dhe të bardha”, tha Gjyli për Amforën.

Përgjatë rrugës, kanali kalon pranë mureve dhe rrethimeve të banesave. Në shtratin e tij ka ujë dhe bimësi të dendur. Në disa pjesë, barishtet mbulojnë anët, ndërsa gryka tubash dalin mbi ujë. Kalime të shkurtra mbi kanal lidhin rrugën me portat e shtëpive.

Një pjesë e asfaltit të rrugës është dëmtuar. Dheu është shkëputur në disa vende, duke lënë zgavra pranë rrugës, ndërsa çarjet shtrihen përgjatë anës së kanalit.

Rreth 50 familje shkarkojnë ujërat e zeza në të. Me kanalin të zbuluar, banorët kanë kaluar muajt e verës pranë ujërave që më parë kalonin në sistemin e mbyllur, të ndërtuar me kontributet e tyre.

Gjyli tha se për shumë vite bashkia u ka sjellë vetëm asfaltin, ndërsa për kanalin banorët janë detyruar të investojnë vetë. Duke pritur një ndërhyrje publike që nuk po vinte, ata vendosën tubacionin dhe sistemuan ujërat pranë shtëpive.

“Duke qenë sistemi i vjetër me tub 1500 e kemi vendosur vetë, kjo nuk do të thotë që ne kemi bërë punën më të mirë, e pamë që shteti 30 vjet nuk bëri ndërhyrje, ne e bëmë vetë”, shtoi ai. 

Sipas banorëve, bashkia e prishi kanalin me zotimin se do ta sistemonte dhe do të përmirësonte kullimin. Ata e pranuan ndërhyrjen duke pritur përfundimin e punimeve. Por nga fundi i prillit kanali mbetet endi i hapur.

Kanali i hapur pranë shtëpive. Foto: Media Amfora

Përveç erës dhe ujërave të zbuluara, Gjylin si banor dhe teknik ndërtimi në profesion e shqetëson ajo që mund të ndodhë kur të fillojnë shirat.

“Mendoj që bashkia duhet të bëjë diçka të paktën për këtë pjesë që është zonë e banuar”, tha ai.

Në fillim të janarit 2026, përmbytjet përfshinë banesa, biznese, rrugë dhe institucione në Durrës, duke detyruar qindra banorë të largoheshin nga shtëpitë. Çështja e prrmbytjeve u referua në Prokurori për hetimin e përgjegjësive lidhur me situatën dhe pasojat e saj.

Përmbytjet ndodhën pavarësisht investimeve në infrastrukturën e kullimit, përfshirë një projekt me vlerë rreth 19 milionë euro për sistemimin e ujërave të shiut në zonën Porto Romano-Kënetë, pjesë e të cilit ishte edhe ndërtimi i një hidrovori të ri. Projekti ishte financuar me fonde publike dhe zbatuar nga Bashkia Durrës.

Pas përmbytjeve, bashkia e përqendroi një pjesë të punës te pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve. Më 9 korrik 2026, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi në faqen e saj zyrtare se gjatë gjashtëmujorit të parë ishin kryer ndërhyrje në 24 segmente, me gjatësi të përgjithshme prej 48 kilometrash, përfshirë në Shkozet dhe Plazh.

“Punimet për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrjetit kullues do të vijojnë në zonën Shkozet–Plazh deri në përfundimin e ndërhyrjeve përgjatë gjithë gjurmës së kanalit kryesor dhe kanaleve dytësore”, shkroi Sako në rrjetet sociale. 

Kryebashkiakja i paraqiti këto ndërhyrje si masa për rritjen e kapaciteteve kulluese dhe uljen e rrezikut të përmbytjeve. Në zonën mes Shkozetit dhe Plazhit banorët thanë se ndërhyrja e bashkisë u ka lënë prej muajsh ujërat e zeza të zbuluara pranë shtëpive.

Rruga e dëmtuar në mes të lagjjes. Foto: Media Amfora

Në një tjetër rrugë të zonës, aty ku takohen lagjja nr. 14, e njohur si Shkozet, dhe lagjja nr. 13, e njohur si Plazhi i Madh, Mylazim Ballo qëndron në verandën e vogël të shtëpisë, duke shmangur oborrin pranë kanalit. Afërsia e banesës me ujërat e zbuluara ia ka kushtëzuar edhe qëndrimin jashtë.

Brenda shtëpisë, vera ka kaluar me dyer e dritare të mbyllura për shkak të erës.

“Tërë beharin e kaluam me infeksion, erë, mbyll dritare, mbyll dyer se nuk rrihet”, tha ai, duke përshkruar kushtet dhe shqetësimin për shëndetin.

Ballo kujtoi se e kishte ngritur këtë shqetësim që kur po ndërhyhej në kanal. Sipas tij, gjatë një vizite të kryetares së bashkisë, i kërkoi që ujërat e zeza të grumbulloheshin dhe të largoheshin përpara se të punohej me sistemin e ujërave të shiut.

Muaj më pas, shqetësimit për erën i është shtuar frika nga gërryerja. Kanali ndodhet pranë shtëpisë dhe Ballo i trembet mbushjes së tij me ujë gjatë reshjeve.

“Shikoje ajo po të mbushet me ujë, gërrye-gërrye vajti tek themeli”, tha ai për Amforën.

Për Alfred Allajbeun, një tjetër banor gjendja e kanalit ka ndikuar edhe në vendimin për të mos e sjellë babanë e sëmurë në Durrës. Ai tregoi se është detyruar ta lërë në banesën e dikurshme të familjes, në një fshat të Beratit, nga ku kishin ardhur për një jetë më të mirë.

Pranë shtëpisë së tij, ujërat e zbuluara, era dhe mushkonjat e bëjnë të vështirë qëndrimin. Allajbeu foli gjatë për punën që banorët kishin bërë vetë dhe për muajt që po kalojnë duke pritur pas ndërhyrjes së bashkisë.

“Ne e kemi bërë vetë kanalin në vitin 2002, e bëmë për më mirë që të jemi të sigurt, por dhe të gjithë lagjen. Kanali nuk ka pasur probleme”, tha ai.

Ai e lidhi nisjen e ndërhyrjes institucionale me përmbytjet e 6 dhe 7 janarit 2026. Sipas tij, kryetarja e bashkisë erdhi në zonë gjatë janarit dhe u premtoi banorëve përmirësimin e gjendjes.

“Bashkia ka ardhur në janar edhe kryetarja vetë dhe na ka thënë që kemi ardhur për të rregulluar, jo për të prishur”, tregoi Allajbeu.

Në fund të prillit, sipas tij, punonjësit erdhën për të kontrolluar pusetat dhe më pas prishën kanalin. Ai këmbënguli se banorët kishin pranuar ndërhyrjen duke pritur rindërtimin e tij.

Allajbeu i numëroi muajt njëri pas tjetrit.

“Kaloi maji, qershor, korrik, gusht, shtator dhe katastrofë”, tha ai.

Spërkatjet për mushkonjat, sipas tij, nuk ua kanë zgjidhur shqetësimin. Ai tha se banorët i janë drejtuar edhe drejtuesit vendor, kryetarit të komunës, por kanë marrë përgjigjen se nuk kishte dijeni për prishjen e kanalit.

Bimësia në anë të kanalit të hapur dhe masat e marra nga ana e banorëve për të shmangur kontaktet me të.

Ndërsa vera mbaroi, vëmendja e Allajbeut është te themelet e shtëpisë. Ai druhet se kanali do të mbushet kur të nisin shirat dhe tregoi se këtë shqetësim e kishte shprehur edhe gjatë ndërhyrjes.

“I kam thënë kur e prishën, se unë e kam në themel të shtëpive”, tha ai.

Shtatori i gjen banorët ende me ujërat të zbuluara. Ballo shmang oborrin, Allajbeu nuk e ka sjellë babanë e sëmurë në shtëpi, ndërsa Gjyli vazhdon të përdorë daljen e pasme të banesës.

“Ne nuk jemi kundra për ta sistemuar dhe rregulluar, jemi për atë që e presim, thjesht të na jepet shpresa që një ditë ky kanal do të mbyllet dhe të dalë si gjithë të tjerët”, përfundoi Gjyli.