Pas bojkotit për pagat, Administrativja urdhëron zhbllokimin e fondeve

Pagat e bllokuara prej fillimit të shtatorit morën një zgjidhje të përkohshme për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit, pasi Administrativja pranoi kërkesat për sigurimin e padisë. Fondet duhet të procesohen, ndërsa përplasja për mënyrën e llogaritjes së pagave vijon në gjykatë.

Pas disa ditësh me listëpagesat e bllokuara, Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Durrësit iu drejtuan Gjykatës Administrative të Tiranës për të mundësuar kalimin e pagave të muajit gusht.

Administrativja pranoi më 11 shtator kërkesat për sigurimin e padisë, një masë e përkohshme që vepron derisa konflikti të shqyrtohet në themel. Për Gjykatën e Posaçme, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit në Tiranë u urdhëruan të vijojnë procesimin e listëpagesave dhe urdhër-shpenzimeve. Vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë. 

E njëjta rrugë solli zhbllokimin e fondeve edhe për Gjykatën e Durrësit, e cila kishte kërkuar sigurimin e padisë pas moskalimit të pagave. Masa nuk i jep zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjes, por mundëson pagesat ndërsa procesi gjyqësor vijon. 

Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut ndryshimet ligjore të kërkuara pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përllogaritën pagat duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Kushtetueses, ndërsa Ministria e Financave kërkoi përdorimin e formulës së mëparshme.

Më 7 shtator, Gjykata Kushtetuese rikujtoi se vendimi i saj është përfundimtar dhe kërkoi zbatimin e tij. 

Një ditë më vonë, mosmarrja e pagave çoi në bojkot administratën e Gjykatës së Tiranës dhe të Apelit, ku u kufizuan shërbimet dhe vijuan kryesisht seancat për masat e sigurisë. 

Vendimet për GJKKO-në dhe Durrësin zhbllokojnë përkohësisht pagesat për këto dy gjykata, por nuk zgjidhin ende konfliktin mbi formulën që duhet të përdoret për pagat në sistemin e drejtësisë.